Takimi Mickoski – Sela – Gashi, arrihet marrëveshja për bashkëpunim opozitar

Në zyrën e deputetëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA u zhvillua një takim mes partive opozitare në vendin tonë, në prag të zgjedhjeve lokale.

Ishin kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, të cilët e pritën në takim kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, përcjell INA. Lidhur me këtë takim më poshtë komunikata e plotë e ASH-AAA:

“Tema e këtij takimi ishin zgjedhjet e ardhshme lokale dhe mundësia për bashkëpunim opozitar midis këtyre partive, me motiv kryesor luftën kundër krimit dhe korrupsionit në komunat e udhëhequra nga LSDM-BDI.
Tre kryetarët vunë në dukje se duke u nisur nga raporti i Transparency International, sipas të cilit Maqedonia renditet në vendin e 111-të, vend ky më i keqi deri tani, bashkëpunimi i opozitës është i pashmangshëm, në mënyrë që njësitë e vetëqeverisjes lokale të çlirohen nga qeverisja korruptive, nga harxhimi jotransparent i të hollave të qytetarëve dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeverisja LSDM-BDI në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Prandaj, konstatuan ata, është e nevojshme të bashkëpunohet në mënyrë që komunat të jenë institucione në shërbim të qytetarëve, me zhvillim lokal të fortë dhe të barabartë ekonomik, me mbështetje buxhetore për decentralizimin në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe me përpjekje më të mëdha për të qenë komuna të gjelbërta të cilat do të sigurojnë ajër të pastër dhe do të mbrojnë mjedisin jetësor.
Për të artikuluar më mirë zërin opozitar si dhe për të përfaqësuar sa më mirë interesat e të gjithë qytetarëve në nivel lokal, tre kryetarët, duke theksuar këto parime, vendosën për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë komunash. Bashkëpunimi do të thotë që partitë e përmendura nuk do të kandidojnë për kryetar komune në komuna të caktuara dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, ndërsa në komunat e tjera do të konkurrojnë me të gjitha partitë e tjera.
Mënyra dhe detajet e bashkëpunimit do të bien dakord nga degët komunale të tre palëve”, thekson komunikata. (INA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey