Talat Xhaferi i veshur me antiplumb, politikani i parë i rajonit që po viziton Ukrainën

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut po qëndron për vizitë në Ukrainë. Ai ka bërë të ditur lajmin e papritur për një vizitë të tij mu në kryeqendrën ukrainase Kiev.

Ai ka udhëtuar drejt Ukrainës me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Rusllan Stefançuk, ndërsa është politikani i parë i rajonit por edhe shqiptar që ka shkelur tokën ukrainase.

“Sot, me ftesë të homologut tim Stefançuk jam në vizitë në Kiev. I vizitova Irpinin dhe Hostomelin. Lufta mban aromë tjetër në vendngjarje ndryshe nga ajo në fotografi. Qetësia është ndryshe në zonat luftarake”, ka shkruar Xhaferi në profilin e tij në rrjetet sociale.

Jozyrtarisht është raportuar se kryeparlamentari Xhaferi ka mbërritur në mëngjes në Kiev përmes një udhëtimi me tren nga Polonia. Njëkohësisht, në vizitë në Ukrainë po qëndrojnë edhe kryetarët e Parlamentit të Rumanisë dhe Konfederatës Zvicerane.

“Gjithsesi, për mua është kënaqësi e veçantë dhe e pranova ftesën që edhe personalisht ti vizitoj Buçën dhe Irpinin që personalisht ti shohim pasojat nga ajo që është pushtimi i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Natyrisht, prezenca ime është simbol i mbështetjes personale, institucionale dhe mbështetjes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për popullin e Ukrainës dhe institucioneve të Ukrainës. Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu”, theksoi Xhaferi.

Ai shtoi se personalisht do të zotohem që institucionet dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ofrojnë gjithë mbështetjen e mundur që është në dispozicion bashkë me partnerët tanë nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar. “Gjithsesi, personalisht do të zotohem që këto imazhe të emërtohen me emrin që u takon, dhe ky është gjenocid dhe asgjë tjetër”, shtoi Xhaferi.

Kjo vizitë e Kryetarit Xhaferi është e para e këtij lloji e përfaqësuesit të lartë nga rajoni dhe vizitë e parë e të gjitha niveleve të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të vizitës, Kryetari Xhaferi do të ketë edhe fjalim para Kongresit të Këshillave Lokal dhe Rajonal nën kryesimin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Xhaferi është i njohur si ish-oficer i Armatës së Jugosllavisë, më pas Armatës së Maqedonisë, ndërsa në vitin 2001 iu bashkua radhëve të UÇK-së. Pas konfliktit ai ka qenë edhe ministër i mbrojtjes. /abcnews.al

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey