Të gjithë baras, të gjithë gostivaras!

Krenar për origjinën e tyre, për gjuhët, për fenë e për traditat, çdo gostivaras respekton dhe çmon etninë tjetër, duke dhënë kështu shembullin më të mirë të një qyteti të paqtë e njerëzor, shumë më patriotik se disa pushtetarë që e ndërrojnë flamurin sipas tenderit. Të vetëdijshëm për gabimet e bëra, ashtu përditë ata jetojnë aty në Pollog duke zgjedhur jetën! Krenar jam që Zoti më dha mundësinë të jem pjesë e një qyteti ku me të vërtetë mund të thuash: “Të gjithë Baras, të gjithë Gostivaras!”

Nga Dr. Arben TARAVARI

William Pickens, një nga oratorët më të mëdhenj të kohës së tij do të thoshte një nga ato fjalitë që të kthejnë në të përjetshëm:” Të jetosh bashkë është Art”… dhe arti është ushqimi i jetës, por natyrisht që sa i thjeshtë duket aq i vështirë është.

Më mirë se kushdo e vështirësinë e artit të bashkëjetesës e di Ballkani, i cili banohet nga popuj kryesisht të varfër, të përdorur pa asnjë mëshirë nga hajdutë e kriminelë që zaptonin e zaptojnë pushtetin, dhe në emrin e këtij të fundit bënin dhe bëjnë raprezalje duke varfëruar njerëzit e duke pasuruar veten e tyre.

Vetëm në Maqedoni ka fenomene të tipit: deputeti është më i pasuri i lagjes, ministrat kanë makinat më të shtrenjta në vend, drejtorët partiak blejnë apartamente me vlera të larta ndërkohë që sipas rrogës që marrin do duhej të jetonin dy herë nga 100 vjet që t’i paguanin! Tek ne është bërë vjedhja nga ana e pushtetarëve një lloj aftësie, gati-gati një zotësi që shoqërohet me fjalinë “eh është ujk i vjetër ai…”, ose “ai është si macet, ka 7 shpirtra”… Ndërkohë ujqërit dhe macet me 7 palë jetë dalin në podiume dhe bërtasin deri në mënyrë shqetësuese për nderin, krenarinë, respektin, dikur edhe kombin dhe gjuhën se ka disa vite që këto dy të fundit i përdorin sipas sezonit zgjedhor…Ashtu si në disa shtete afrikane ku lufta dhe gjenocidi janë një formë jetese, ashtu edhe në Ballkan, një nga rajonet gjeostrategjike më të lakmuara në botë e histori, pra edhe tek ne, krimi, grabitja dhe ndezja e urrejtjes nga ujqërit “e aftë” është forma e sundimit që po shkatërron shoqërinë përditë duke i sjellë dhimbje, ndarje, skamje…

Kjo panoramë është tragji-komike, e denjë për fabulat e Ezopit, ku disa ujqër e mace dinake duartrokiten nga qengjat për aftësitë e tyre grabitqare. Qengjat e shkretë nuk e dinë se të gjithëve do t’ju vijë radha një ditë, se ujku është ujk e nuk e ngop dot barkun me gjelbërime. Jeshillëqet i përdor sa për t’gënjyer qengjat e kështu ujqërit e pushtetit i japin gjelbërime qengjave, e në këmbim duan dhe marrin mishin e tyre!

Dhe ndaj ka varfëri, papunësi, mërgim masiv apo dorëheqje nga jeta… sepse pushtetet kanë zbatuar platformat më kriminale për t’u pasuruar. Ato nxisin urrejtje etnike, fetare, racore e do të ishin gati të shpiknin edhe urrejtje sysh e modele flokësh po të mundnin, vetëm e vetëm që populli ta ketë mendjen tek ndarja e jo tek pushtetarët që vjedhin paratë e shtetit!

Duket se trishtimi nuk ka fund por anatomia e njeriut është vepër e Zotit dhe është krijuar për të qenë e lumtur. Shkencërisht njeriu kur lind ka tendencë të ketë të zhvilluar më shumë shqisën e gëzimit. Madje deri tre vjeç fëmijët qeshin deri 100 herë në ditë. Me rritjen e individit, rrethanat e jashtme bëjnë që të frenohet ose zhvillohet gëzimi, e qeshura, lumturia…

Sigurisht që është e kuptueshme që kur nuk ke para për barna apo për bukë nuk ka asnjë barsoletë që do të sillte humorin, por ja që instinkti është më i fortë se sa realiteti. Ndaj tash është momenti që të flas për shembullin më të bukur tê bashkëjetesës, për një qytet që i ka sfiduar haptazi pushtetarët kriminelë dhe ka i ka rezistuar tentativave për ndarje dhe urrejtje. Ky qytet është Gostivari!

Unë jam dëshmitar i përditshmërisë së qytetit ku pres të mbaroj mandatin tim të parë si kryetar i Komunës. Njerëzit janë shembull i artit të bashkëjetesës. Gostivari banohet si e gjithë Maqedonia nga disa etni. Shumica shqiptare e tij ka tolerancë e fqinjësi të mirë me etnitë maqedonase dhe turke. Këto dy të fundit kanë respekt për shqiptarët e çmojnë fisnikërinë e tyre. Sigurisht që asnjëri prej tyre nuk është gjakprishur, sigurisht që asnjëri prej tyre as nuk shet e as nuk blen komb, gjuhë apo fe…dhe asnjëri prej tyre nuk është aq naiv sa të mbyllë sytë e të harroj problemet serioze të së kaluarës, probleme që fatkeqësisht disa prej të cilave trashëgohen dhe sot, por të gjithë kanë zgjedhur të jetojnë bashkë duke vendosur që me mençuri dhe kujdes të respektohen me njëri tjetrin, sepse të gjithë ata bashkohen nga një gjë që është me e fortë se ndarja, dhe kjo është dëshira që fëmijët e tyre mos të kalojnë atë që ata kanë kaluar. Kështu si turku, si shqiptari, si maqedonasi i Gostivarit, zgjedh në fund të ditës të jetë gostivaras. Secili respekton tjetrin, secili do njësoj zhvillimin e qytetit, secili është krenar njësoj për qytetin e tij.

Thonë se sa më dramatike politika aq më i varfër populli… Thonë edhe se sa më shumë përçarje në popull aq më lehtë e ka pushteti të grabis, sepse e huton votuesin me çështje emocionale, si është gjuha, feja, kombi…dhe ne e dimë që kjo është edhe forma më klasike e pushtetit të gjatë në Maqedoni. Divide et Impera thonë latinët që përkthyer në shqip bën Përça e Sundo! Të gjithë i dimë edhe ato kthesat e papritura 180 gradë, ku politikanë ultranacionalistë befasisht heqin pushkët nga supet dhe dalin duke folur për shkrirje e asimilim…jo, në Gostivar nuk ndodh asnjëra dhe as tjetra. Gostivarasit e dinë se rrojnë aty shqiptarët me gjuhën e tyre, me kombin, fenë dhe traditat e tyre, ashtu si rrojnë maqedonasit po njësoj të mëvetsuar, turqit e kushdo qoftë. As shqiptari nuk bëhet maqedonas, e as maqedonasi nuk bëhet turk, apo turku shqiptar, të gjithë mbeten padyshim besnik të origjinës të tyre! Por me këmbë në tokë gostivarasit kanë kuptuar se lufta dhe urretja janë skenare të dështuara, ideatorët e të cilëve jetojnë në pasuri marramendëse, ndaj kanë hequr dorë me kohë nga çarku i kësaj politike.

Krenar për origjinën e tyre, për gjuhët, për fenë e për traditat, çdo gostivaras respekton dhe çmon etninë tjetër, duke dhënë kështu shembullin më të mirë të një qyteti të paqtë e njerëzor, shumë më patriotik se disa pushtetarë që e ndërrojnë flamurin sipas tenderit. Të vetëdijshëm për gabimet e bëra, ashtu përditë ata jetojnë aty në Pollog duke zgjedhur jetën! Krenar jam që Zoti më dha mundësinë të jem pjesë e një qyteti ku me të vërtetë mund të thuash: “Të gjithë Baras, të gjithë Gostivaras!”

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey