Tërmeti i 26 nëntorit/ 7905 objekte të pabanueshme, ekspertët në dispozicion të SPAK

Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi 7905 objekte, të cilat konsiderohen të pabanueshme nga ekspertët e Institutit të ndërtimit. Ndërkohë me terma teknikë ds2 dhe ds3 klasifikohen mijëra shtëpi të tjera që konsiderohen të dëmtuara lehtë dhe të dëmtuara mesatarisht dhe që numërohen 8748 objekte të prekura nga tërmeti. Drejtori i institutit të ndërtimit Agron Hysenlliu jep detaje mbi bilancin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Objekte te pabanueshme që janë ds4 dhe ds5, që ne i konsiderojmë objekte me dëmtime të rënda ne kemi afërisht në Tiranë rreth 448 pallate dhe 548 shtëpi, në Durrës 62 pallate dhe 557 shtëpi, në Kavajë 25 pallate dhe 30 shtëpi, në Shijak 30 pallate dhe 550 shtëpi, në Vorë 24 pallate dhe 596 shtëpi dhe në Kamëz 12 pallate dhe 150 shtëpi. Ne i kemi klasifikuar që këtu nuk duhet të qëndrohet brenda pasi ka rrezikshmëri.

Pastaj, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave që ka dalë ne do bëjmë ekspertizën e thelluar dhe do të shohim kush prej tyre është i riparueshëm dhe kush është i pariparueshëm menjëherë nxjerrjes se këtij bilanci ka nisur ekspertiza e thelluar ndaj objekteve te dëmtuara rëndë, nga ku do të vendoset se cilat do të shkatërrohen dhe cilat jo” – thotë Hysenlliu.

Ekspertët sot gjenden për ekspertizë të thelluar në Vlorë, ndërsa rezulton se aty disa pallate duhen demoluar, nesër do jemi në Krujë, Lezhë. Por për shumë pallate të dëmtuara rëndë prokuroria mendon se përgjegjësia nuk është vetëm e tërmetit. Tre prokurori vazhdojnë njëkohësisht hetimet dhe siç deklaron prokuroria e Durrësit janë nën hetim 235 çështje që lidhen me cilësinë e ndërtimeve jo vetëm pallate por edhe shkolla, e njëjtë sikurse edhe në prokurorinë e Krujës është përfshirë në hetim edhe shembja e një shkolle e rikonstruktuar gjatë verës 2019.

Edhe akuza e kryeqytetit ka bashkuar në një të vetme dosjet për banesat e dëmtuara nga tërmeti në zonat e Komunës së Parisit, Kombinat, Yzberisht, Porcelan dhe Vorë dhe ku një sërë firmash ndërtimi, inxhiniere dhe kolaudues janë vendosur nën hetim. Në këto hetime janë angazhuar edhe eksperte nga fusha e inxhinierisë.

Nga tërmeti i 26 nëntorit humbën jetën 51 persona, ndërkohë që qeveria ka shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme të pjesshme deri në fund të muajit mars 2020./Top Channel

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey