Tërmeti kaloi, po tani?

Pas goditjes dhe dëmëve të mëdha që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në vendin tonë, ku dhjetëra persona humbën jetën dhe me qindra banesa e pallate u shpallën të pabanueshëm, tashmë është momenti që duhet të kishte nisur rindërtimi dhe mbajtja e përgjegjësisë. Por mesa duket, siç tashmë është bërë e udhës në këtë vend gjithkush harron çfarë thotë dhe çfarë duhet të bëjë.

Dhe kështu ndodhi edhe në këtë rast…Kryeministri shkoi në çdo banesë, u takua me të gjithë njerëzit, bëri foto me çdo fëmijë që gjeti në rrugë, premtoi lagje e zona të veçanta për të gjithë banorët e prekur nga tërmeti.

Krejt në fund të gjithë njerëzit përfunduan nëpër çadra ca të sajuara e ca të sjella nga depot e ushtrive të NATO-s, por që të gjitha kishin të përbashkët futjen e të ftohtit brenda që në këto ditë të dimrit është disa gradë nën zero.

Në fillim u premtua që shumë njerëz do të strehoheshin nëpër hotelet e zonave, kryesisht në Durrës. U tha po ashtu se askush nuk do të largohej nga hotelet pa iu siguruar apo ndërtuar më parë banesa e re. Në fakt kështu ndodhi në ditët e para pas tërmetit, por më pas gjërat ndryshuan rrugës. Shumë familjarë e banorë u rikthyen sërish në çadra ku një pjesë e madhe të filmuara edhe nga kamerat e televizoneve kishin edhe fëmijë të vegjël, që në temperaturat e ulëta të këtyre netëve e bëjnë akoma më të vështirë situatën.

Edhe në këto momente që flasim asnjë insitucion zyrtar shetëror nuk ka nxjerrë një faturë reale sesa është dëmi i shkaktuar nga tërmeti, pos disa fjalëve e statistikave të thëna nga njerëz pranë qeverise ku jo në pak raste këto shifra janë tejet të ndryshme. Ndihma humanitare e financiare kanë ardhur nga disa shtete të ndryshme, por mungesa e një fature të dëmeve e bën mjaft të vështirë parashikimin e rindërtimit të zonave të shembura. Njerëzit në çadra kanë kushte e jetojnë normalisht, por banorët vetë shprehin krejt të kundërtën. A mos vallë edhe kjo situatë po kalohet si gjithë të tjerat?

Tërmeti kaloi, por mesa duket pas-tërmeti qenka edhe më keq!

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey