Terrorizmi në Shqipëri kërcënon objektet e rëndësisë së veçantë

Shqipëria ka mbetur jashtë hartës së akteve terroriste, me përjashtim të dy tentativave që u zbuluan në kohë nga autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese europiane. Situata e fundit në Lindjen e Mesme, pas vrasjes së gjeneralit Kasem Sulejmani ka shtuar pikëpyetjet për sigurinë në Shqipëri, ndonëse deklarimet e zyrtarëve të lartë, mes të cilëve edhe të vetë kryeministrit Rama pohojnë se Shqipëria nuk ka asnjë cënim.

Ky i fundit, në një prononcim për mediat ka thënë qartë se SHBA janë në mbrojtje të sigurisë në Shqipëri. Por, së fundmi, një informacion ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, sipas të cilave më në rrezik nga akte te mundshme terroriste nuk janë kampi i muxhahedinëve, por institucione publike, të një rëndësie të veçantë.

Në informacionin e klasifikuar “top secret”, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, që flasin për Gazetën SHQIP, thuhet se terrorizmi ka piketuar më së shumti hidrocentralet dhe ujësjellësat, duke kërkuar marrjen e masave ekstreme.

Pas këtij informacioni, Policia shqiptare ka përpiluar një qarkore, të cilën ua ka dërguar të gjitha drejtorive të policive në qarqe, duke kërkuar marrjen e masave shtesë në këto objekte të rëndësisë së veçantë. Një tjetër qarkore u është dërguar edhe drejtorive të policive kufitare në shkallë vendi.

Në nenin 17 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” thuhet saktësisht, se një prej detyrave të Policisë është edhe ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë, ku përfshihen edhe hidrocentralet, apo ujësjellësat, ku elementët terroristë nëse do vepronin do të shkaktonin një tragjedi të përmasave të mëdha.

Por, këtu ka një problem, që duket se e ka vënë Policinë në vështirësi edhe për zbatimin e ligjit. Sepse, edhe hidrocentralet edhe ujësjellësat klasifikohen si objekte të rëndësisë së veçantë, por nuk ruhen nga forcat e Policisë, pasi varësia e tyre është në rastin e hidrocentraleve nga OST dhe OSHEE dhe në rastin e ujësjellësave nga Pushteti Lokal.

Ndërsa në nenin 118 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, lidhur me kontrollet kundër akteve terroriste thuhet se punonjësi i policisë, kur ka dyshime të arsyeshme ka të drejtë të kryejë me iniciativë kontrolle për parandalimin e akteve terroriste në banesa, ndërtesa, mjedise dhe hapësira publike për të garantuar sigurinë e personave dhe të rendit kushtetues kombëtar e sigurinë ndërkombëtare.

Dhe në pikën dy të këtij ligji thuhet se kontrolli kundër akteve terroriste përfshin kontrollin për eksplozivë, lëndë helmuese kimike, biologjike, bakteriologjike apo radioaktive.

Gjithsesi, Policia ka tashmë një informacion, ndaj të cilit jo vetëm nuk po neglizhon, por ka përgatitur planin policor, për të rritur shkallën e sigurisë.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey