Thellohet skandali me noterët e PDK-së

Sharing is caring!

Kandidatët që kaluan provimin për noterë kanë marrë certifikatat në Ministrinë e Drejtësisë të mërkurën.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë menjëherë ka hapur konkursin për zgjedhjen 79 noterëve, që do të punojnë në 35 komuna të vendit.

Në mesin e të certifikuarëve kishte pritur të jetë edhe Labinota Qosa-Ilazi, e cila e kishte kaluar provimin me shkrim dhe, pavarësisht bindjes se kishte kaluar edhe provimin me gojë, i kishte dalë e kundërta.

Pavarësisht ankesës, ajo nuk ka marrë përgjigje, çka edhe i ka pamundësuar të nisë kontest ligjor.

Shqetësimet e ngritura nga mediet dhe shoqëria civile për politizim dhe konflikt të interesit, nuk e kanë penguar procesin.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se Ministria e Drejtësisë, respektivisht qeveria në largim, nuk e ka legjitimitetin të vazhdojë tutje me këtë proces, për më tepër që mbi të njëjtin rëndojnë dyshime të tilla.

Ndërprerjen e procesit e ka kërkuar edhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu e ka vlerësuar si shqetësuese që në këtë situatë, nuk ka vepruar me urgjencë Agjencia Kundër Korrupsionit, përkundër fakteve që janë shfaqur në media.

Kjo e fundit ka konfirmuar për KTV-në se kanë kërkuar informacione zyrtare edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe procesi është duke u shqyrtuar.

“Agjencia Kundër Korrupsionit është në proces duke analizuar të gjitha provat e ofruara dhe në momentin e nxjerrjes së një përfundimi për këtë, ato do t’i bëjë publike,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Derisa Ministria e Drejtësisë, sërish ka heshtur dhe nuk është përgjigjur në pyetjet për këtë temë.

The post Thellohet skandali me noterët e PDK-së appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Sharing is caring!

Loading...
shares