Tragjedia ajrore në Iran, në listën e viktimave edhe 15 fëmijë

Familje të tëra humbën jetën në aksidentin e tmerrshëm ajror të një dite më parë në Iran. Çifti suedez Raheleh dhe Mikael Lindberg 37 dhe 40 vjeç u vranë së bashku me dy djemtë, Erik dhe Emil, nëntë dhe shtatë vjeç. Fotot e tyre në rrjetet sociale tregojnë një familje të bukur e të lumtur; vetëm një vit më parë kishin qenë duke festuar në Barcelonë ditëlindjen e djalit të vogël.

Tragjedia ajrore e të mërkurës ka shuar tërësisht edhe një familje nga Edmontoni i Kanadasë: në Boingun e rrëzuar 737 ndodhej dhe 47 vjeçari Pedram Mousavi me të shoqen, Mojan Deneshmand, që të dy të punësuar në Universitetin e Albertës e bashkë me ta, udhëtonin dhe dy vajzat e tyre Daria e Darina. 15 fëmijë, mes të cilëve një dy vjeçar figurojnë në listën e atyre që humbën jetën nga fatkeqësia ajrore, shkaqet e së cilës ende nuk janë zbardhur plotësisht.

82 prej personave në bord ishin iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë e tre britanikë. E dhimbshme edhe historia e një çifti të rinjsh gjithashtu nga Edmontoni, Arash Pourzarabi, 26 vjeç dhe Pouneh Gourji, 25 vjeç, të cilët kishin udhëtuar drejt Iranit, me qëllimin që të lidhnin kurorë atje. Shumë prej viktimave iraniano-kanadeze, po ktheheshin nga pushimet dimërore që kishin kaluar në vendin e origjinës.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey