Tragjedia në Tetovë/ Akuzat për modularin procedohen në gusht

Edhe pse prokuroria е Tetovës ka ngritur akuzë në Gjykatën Themelore të këtij qyteti për djegien e Spitalit Modular, që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, e njëjta nuk është proceduar, thonë për Alsat burime brenda gjykatës.

Arsyeja është se padia në gjykatë është lëshuar në minutat e fundit të ditës, kur gjykatësit fillojnë pushimin vjetor.

“Për shkak se lënda në gjykatë është dorëzuar më 14 korrik, pra ditën kur janë futur në pushim vjetor gjykatësit e Gjykatës Themelore të Tetovës, e njëjta nuk i është ndarë asnjë gjykatësi. Pritet data 15 e gushtit, kur fillon të funksionojë sistemi i shpërndarjes dhe lënda do t’i ndahet njërit nga pesë gjykatësit e mundshëm të Gjykatës. Ndërkohë siç mësojmë, lënda do të gjykohet vetëm nga një gjykatës”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Nga ana tjetër, edhe pse pas gati se dhjetë muaj, prokuroria ndërmori hapin e parë në drejtim të zbardhjes së tragjedisë, familjarët janë skeptik se do të ketë drejtësi. Mumin Ismaili nga fshati Nerasht, të cilit e ëma i ndërroi jetë në duart e tij natën e kobshme, thotë se, nëse gjykata e vendit nuk merr vendim të drejtë, drejtësinë do ta kërkojnë në gjykatat ndërkombëtare.

“Unë nuk mendoj se do shkoj gjykimi siç pretendohet të jetë, sepse deri më tani nuk është zbardhur asgjë, e në këtë rast edhe modulari. Tash hyjmë në 11-tin muaj prej kur ndodhi rasti, nuk pres gjykim transparent por presim. Shpresat nuk i humbim. Por gjithsesi ne nuk do dorëzohemi. Për këtë rast do shkojmë edhe në gjykatën e Str5asburgut nëse ka nevojë që të ankohemi, sepse kemi humb familjarët, sidomos mua që nëna mu dogj në krah. Por do shohim është e patjetërsueshme dikush të merr përgjegjësi për këtë rast”, tha familjari Mumin Ismaili.

Emrat që dyshohet si të paditur nuk mjaftojnë, thotë Ismaili, i cili pretendon se në lëndë duhet të përfshihen më tepër njerëz, duke u bazuar nga fakti se ai ka qenë brenda spitalit gjatë 28 ditëve rresht, ku ka siç pohon ka vërejtur parregullsi të shumta brenda qendrës Kovid.

“Unë 28 ditë kam qenë në spital aty, nuk ka pasur asnjë kusht për trajtim të të sëmurëve me kovid. Mungesa e parë ka qenë stafi mjekësor, unë isha 28 ditë kishte gjashtë dhoma me nga gjashtë kravatë ndërsa ka pasur katër ekipe mjekësore. Dhe më tregoni me logjikën tuaj katër mjekë a mund të trajtojnë 36 pacientë kur secili pacient çdo sekondë kishte nevojë për trajtim”, u shpreh tutje Ismaili.

Pas më shumë se dhjetë muaj hetime, Prokuroria e Tetovës, ngriti akuzë ndaj ish drejtorit të Spitalit Florin Besimi dhe një udhëheqësi të spitalit. Akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa mjeku kujdestar akuzohet për mos veprim në përputhje me rregullat shëndetësore në kohë pandemie.

Spitali i Tetovës si person juridik, akuzohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mos veprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë. Në hetimin e djegies së modularit të Tetovës, u përfshinë edhe prokurorë nga Shkupi, u kërkua edhe ndihma e ekspertëve gjermanë dhe Fakultetit Teknik lidhur me instalimin elektrik.

Në raportin e tetorit të vitit të shkuar që u prezantua nga prokuroria e Tetovës, u konstatua se zjarri kishte shpërthyer nga kablloja zgjatuese. Nga zjarri që ra në modularit të Tetovës jetën e humbën 14 persona, 12 pacientë dhe dy familjarë./Alsat

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey