Tre vjet e gjysmë burg për ish-ministrin e Nikolla Gruevskit

Mile Janakievski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e kaluar të Nikolla Gruevskit është dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim në rastin “Toplik”, ku prokuroria ndiqte për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.

Për të njëjtën vepër janë shpallur fajtorë edhe pesë anëtarë të Komisionit që ka kryer ankand publik për kompleksin elitar “Sun City” në Sopishtë të Shkupit. Tomçe Gjurçilov u dënua me tre vjet burg, ndërsa Dimitar Dimovski, Nadica Taseva, Vesa Tomçevska dhe Marica Taseva me nga dy vjet me kusht.

Gjykatësi Osman Shabani në shpjegimin e aktgjykimit theksoi se Janakieski edhe pse ishte i vetëdijshëm se kishte mangësi esenciale për shkak të të cilave Ministria nuk mund t’i përmbushte obligimet e veta, megjithatë në emër të institucionit që ai drejtonte kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Sun City” “për tjetërsimin e tokës ndërtimore në tender publik, kontratë e cila më pas u shkëput me marrëveshje gjyqësore. “Dëshmitë rezultuan se për shkak të zgjidhjes së kontratës është dashur të paguhet kamatëvonesa, që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej një milion eurove”, tha gjykatësi Osmani.

Mbrojtja njoftoi se do të ankohet në një gjykatë më të lartë. Ndërsa prokurori Burim Rrustemi tha se është i kënaqur me aktgjykimin, përveç të pandehurit Dimovski.

Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski është dënuar me 6 vjet e 3 muaj burg për rastin “Organizatorët e 27 prillit”, dhe 4,5 vjet burg për rastin “Titanik” në të cilin e ka pranuar fajësinë. Janakieski e pranoi fajësinë në rastin “Dizajni” për blerjen e 202 autobusëve kinezë, pas së cilës u dënua me kusht dhe të njëjtin dënim e mori edhe për një rast tjetër. Janakieski akuzohet edhe në katër raste të tjera për të cilat janë në proces gjyqësor “Talir”, “Hapat spanjollë”, “TNT” dhe “Trajektoria”, të cilat ishin hapur nga ish-Prokuroria Speciale.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey