Tri rrëfime dhe një urim për Vitin e Ri!

Enver Robelli

1.
Këtë vit nga skena e politikës gjermane dhe botërore u largua Angela Merkeli. Kur ishte pyetur nga gazetarët se çfarë do të bënte në të ardhmen, ajo me ironi u përgjigj se njëherë do të pushonte pak, pastaj me siguri do t’i kujtohej diçka për të bërë. Me pensionimin e Angela Merkelit shtrohet pyetja: a do të pensionohet edhe Ursula Wanecki, 65-vjeçare. Për shkak të ngjashmërisë me Merkelin, Wanecki më shumë se një dekadë e ka ushtruar funksionin jozyrtar të kipces, pra dytëshores së kancelares gjermane. Wanecki është ftuar në hapje të garazheve të veturave, në evenimente të ndryshme dhe ka pasur kontratë me një agjenci marketingu. “Unë do të vazhdoj të jem dytëshorë. Angela Merkel është ende e kërkuar”, ka thënë për mediat gjermane Ursula Wanecki, e cila në pranverë do të dalë në pension. Ajo punon në një zyrë për mbledhjen e taksave.

2.
Është kohë urimesh, andaj nuk qe befasi që ditë më parë në Paris u nxor në ankand SMS-i i parë që e ka dërguar një njeri. Ky SMS u shit për – mbajeni frymën – 107 mijë euro. Përmbajtja e SMS-it ishte kjo: “Marry Christmas” (urime Krishtlindjet).

3.
Sipas gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” filozofit Jacques Derrida njëherë i ndodhi një qeder. Ishte në banjë, me kostumin e Adamit, pra cullak, lakuriq, i zhveshur krejt, kur befas pa një mace, e cila ia kishte zgurdulluar sytë filozofit. Dhe filozofi u turpërua – nga vetja dhe para maces. Kjo histori do të merrte fund po t’i kishte ndodhur dikujt tjetër, por Jacques Derridan e shtyri të futet thellë në mendime dhe të filozofojë gjerë e gjatë. Dhe të shkruajë një libër me titullin “L’animal que donc je suis”.

Lexuese dhe lexues të nderuar, Urime Viti i Ri.
Shëndet, lumturi dhe dritë në jetët tuaja ngado ku ju shpie jeta në vitin 2022. Dhe shumë rrëfime të bukura. Sepse nga rrëfimet e bukura shumëzohen mendimet e mira.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey