Trump: SHBA do të godasë Iranin me “pajisje të reja” nëse sulmohet

Presidenti amerikan Donald Trump tha se shteti i tij do të godasë Iranin me “pajisje të reja të bukura” nëse Irani do të sulmonte bazat amerikane ose shtetasit amerikanë pas vrasjes së komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani.

“SHBA sapo ka shpenzuar 2 trilionë dollarë për pajisje ushtarake. Ne jemi më të mëdhenjtë dhe deri më tani më të mirët në botë! Nëse Irani sulmon një bazë amerikane, apo ndonjë amerikan, ne do të dërgojmë rrugës disa nga pajisjet e reja të bukura, pa asnjë hezitim!”, shkroi Trump në Twitter.

Në komente tjera në Twitter, Trump gjithashtu “këshilloi fuqishëm” Iranin të mos sulmojë SHBA-të pasi Washingtoni do të “kthente goditjen”.

“Ata na sulmuan dhe ne kthyem sulmin. Nëse ata sulmojnë sërish, gjë që do t’i këshilloja fuqishëm që të mos e bëjnë, ne do t’i godasim më fuqishëm se sa ishin goditur më parë!”

Të shtunën, Trump është kërcënuar se do të godasë 52 caqe iraniane në rast të një sulmi ndaj shtetasve apo pronave amerikane.

Ai tha se Teherani zyrtar “po fliste me shumë guxim për shenjestrimin e disa pronave të SHBA-ve si hakmarrje” për vrasjen e Soleimanit, duke shtuar se gjenerali ishte përgjegjës për vdekjen e një amerikani dhe qindra protestuesve iranianë, shkruan Anadolu Agency.

Në një sulm ajror jashtë aeroportit të Bagdadit u vranë Soleimani dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Vrasja e Soleimanit shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-të në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamor që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për “një hakmarrje të hidhur” si reagim ndaj vrasjes.

Pas vdekjes së një kontraktori amerikan në sulmet me raketa ndaj një baze amerikane në Irak, Washingtoni kreu një seri sulmesh që çuan në vdekjen e të paktën 25 luftëtarëve nga grupi i milicisë Kataib Hezbollah i mbështetur nga Irani.

Ky ishte sulmi i parë i madh nga SHBA ndaj një grupi të lidhur me Iranin që nga tërheqja e trupave nga Iraku në vitin 2011.

Ambasada amerikane në Bagdad më pas u sulmua nga një turmë e madhe e protestuesve, duke çuar në një bllokim dyditor midis forcave amerikane dhe protestuesve.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për planifikimin e një sulmi ndaj kompleksit të Ambasadës së SHBA-ve në Bagdad dhe se planifikonte të kryente sulme shtesë mbi diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe rajon.//AA

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey