Trump tall Iranin: Nuk keni fituar kurrë asnjë luftë!

Donald Trump deklaroi se gjenerali i fuqishëm iranian Kasem Sulejmani duhet “të ishte hequr qafe vite më parë”, duke e akuzuar për vrasjen e mijëra amerikanëve e duke pretenduar se njerëzit e Irakut nuk duan “të dominohen e kontrollohen nga Irani”.

Këto ishin komentet e para të presidentit amerikan që prej lajmit të bujshëm të ekzekutimit të atij që konsiderohej si “truri” I aktiviteteve iraniane në Lindjen e Mesme, dhe si ministri de facto i jashtëm i vendit kur vinte fjala tek lufta dhe tek paqja.

Sulejmani është parë gjerësisht edhe si arkitekti i luftës së Bashar al Assadit kundër rebelëve në Siri, i rritjes së forcave paraushtarake pro-iraniane në Irak si edhe i betejës kundër Shtetit Islamik.

Një figurë karizmatike, por që shpesh parapëlqente të vepronte në hije, kreu i njësisë Quds adhurohej nga disa, urrehej nga të tjerë e ishte burim mitesh në mediat sociale.

Vdekjen e tij, Trump e përdori për të vënë në lojë republikën islamike. “Irani nuk ka fituar kurrë një luftë, por nuk ka humbur kurrë një negocjatë”, ka shkruar presidenti në Twitter, në një mesazh që shumë nuk kane arritur ta deshifrojnë deri në fund.

Trumpi ka qenë kritik ndaj politikës së paraardhësit të tij, Barack Obama në rajon. Administrata e Obamës arriti në 2015-tën një marrëveshje që ngrinte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, si një mënyrë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Por presidenti aktual u tërhoq prej saj në 2018-tën, me pretendimin se pakti i Obamës e kishte forcuar Iranin që të investonte në një fushatë dhune në rajon.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey