U paralajmërua për të premten, por Qeveria ende nuk e ka gati programin

U paralajmërua për të premten, por Qeveria e lë “për javën tjetër” programin.

Përkundër se nga kabineti qeveritar kanë deklaruar se programi i Qeverisë do të përfundojë së hartuari të premten, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

E tani, ekzekutivi ka dhënë një afat tjetër.

Në një përgjigje me shkrim, këtë të shtunë i kanë thënë KOHËS se ai pritet të finalizohet javën tjetër.

“Programi i qeverisë pritet të jetë i gatshëm javën tjetër. Shumë shpejt do të hedhet për votim në mbledhje të Qeverisë dhe më pas për diskutim në Kuvend”, ka thënë zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Por, javën tjetër, kryeministri Albin Kurti do të qëndrojë në Bruksel për disa ditë.

Zëdhënësi i Qeverisë nuk ka dhënë përgjigje nëse programi do të votohet para se Kurti të udhëtojë për në Belgjikë.

E punën e Kurtit e kabinetit të tij pa program qeverisës e kanë kritikuar nga opozita.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë thënë se programi qeveritar do të duhej të diskutohej qysh në seancën e parë pas votimit të qeverisë.

“Në këtë rast, ajo që kemi pa ky ekip qeveritar dhe ky kryeministër janë totalisht të papërgatitur dhe të paaftë për të qeverisë vendin. Ajo që menjëherë duhet të ndodhte pas votimit të qeverisë është që të vinte programi qeveritar në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Kurse Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur skeptik sa i përket përmbajtjes së programit të Qeverisë Kurti.

“Në kushte normale, në demokraci normale plani qeverisës kryhet për dy ditë, sepse partitë politike para se me ardhë në pushtet e kanë të qartë çka duan me bë. Por, nëse nuk ka ide qeverisëse atëherë me siguri edhe plani qeverisës merr shumë kohë dhe ka me qenë plan ‘ad-hoc’, çka t`i bien në mend”, ka thënë Gjini.

Me qëllim të hartimit të programit qeverisës, Albin Kurti, për dy ditë radhazi mbajti punëtori me anëtaret e kabinetit të tij. Pas takimeve të mbajtura, dy javë më parë, Kurti premtoi se programi qeverisës dhe plani i veprimit do të votohen së shpejti në qeveri e do të përcillen në Kuvend për diskutim.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey