UEFA kursen Greqinë për dhunën dhe racizmin ndaj Kosovës

UEFA e zbut dorën kur bëhet fjalë për federata me rëndësi në Ballkan. Një prej tyre është Federata Greke e Futbollit që në prag të zgjedhjeve për kreun e UEFA-s merr një rëndësi të veçantë për lidhjet që ka me federata të tjera satelit.

Në këtë mënyrë, pas ngjarjeve të shëmtuara të Volosit në muajin qershor ku Përfaqësuesja e Kosovës dhe lojtarët e tifozët e saj u sulmuan me kore raciste gjatë gjithë ndeshjes zyrtare me Greqinë, dora e UEFA-s nuk rëndoi shumë.

Në vendimin e marrë nga Komiteti i Etikës dhe Displinës, UEFA mjaftohet me një gjobë 31.750 euro dhe mbylljen e një sektori në tribunë për ndeshjen e radhës. Vendim aspak në respekt të fushatës kundër racizmit që UEFA promovon prej vitesh.

Për t’u kthyer te ndeshja e qershorit, në pushimin mes dy pjesëve u hodhën sende të forta ndaj tifozëve të Kosovës, ndërsa himni u shoqërua me vërshëllima në stadiumin e Volosit.

Skena të ngjashme u regjistruan edhe pas golit të parë të Greqisë ku lojtarët dhe tifozët u sulmuan me kore raciste dhe mjete të forta ndërsa ndeshja u ndërpre për 5 minuta. Rrahmani dhe Murriqi protestuan gjatë te gjyqtari kryesor që mesa duket ka referuar shumë pak nga ngjarjet e shëmtuara të Volosit.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey