Ushqeheshin nëpër kazane, Fiksi i bën me shtëpi të re!

Në redaksinë e Fiks Fare mbërrin një ankesë nga një vajzë e vogël e cila kërkonte një shtëpi për familjen e saj, pasi shtëpia në të cilën banonin po shembej e jetonin me frikën se do i zinte poshtë.

Gazetarët udhëtuan drejt fshatit Këmishtaj të Lushnjes për të parë nga afër gjendjen e familjes Gjini. Kjo familje përbëhet nga katër persona të cilët jetonin në një mjerim të tejskajshëm. Çatia e shtëpisë nga çasti në çast rrezikonte rënien , muret e çarë dhe si rrjedhojë të gjithë pjesëtarët flinin vetëm në një dhomë të ftohtë e cila frynte nga të gjitha anët.

Kryefamiljari Mihali ka pësuar një aksident, nga i cili ka vrarë këmbën dhe ecën me vështirësi, ndaj edhe nuk mund të punojë. Po ashtu edhe bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore të cilat e vështirësojnë edhe më shumë gjendjen në të cilën ata ndodhen. Për të mbajtur shpirtin gjallë siç shprehet zonja e shtëpisë, mbledhin kanaçe nga të cilat mund të fitojnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj ” ndihmë të madhe kemi edhe fqinjët përreth të cilët na sjellin ushqime se ndryshe nuk mund t’ia dalim dot”.

Por ajo që e ndjen më shumë skamjen është më e vogla e shtëpisë, vajza 13 vjeçare. Nxënëse e shkëlqyer në mësime , por që asnjëherë nuk kishte mundur të festonte ditëlindjen e saj për shkak të kushteve të mjerueshme në të cilat jeton. “Unë fle ende me mamin dhe babin. Kam dëshirë t’i ftoj edhe unë shoqet për ditëlindje, por nuk kam mundësi. Më vjen turp të dal sepse do më shohin shoqet dhe ato nuk e dinë gjendjen në të cilën unë jetoj.” tregon 13 vjeçarja. Me trishtimin në sy apelon vetëm për një shtëpi ku të fusin kokën e tu plotësojë kushtet më minimale të jetesës.

Por me gjithë probleme që duhet të përballej kjo familje, prej 9 muajsh i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike prej 53 mijë lekësh të vjetra. Shkak është bërë vajza e madhe e shtëpisë e cila figuron e siguruar dhe automatikisht është skualifikuar nga sistemi familja. E zonja e shtëpisë tregon për Fiksin se me anë të zyrës së punës vajza e madhe u regjistrua në një kurs rrobaqepsie dhe praktikën e ushtroi pranë një biznesi privat. Këta të fundit e kanë deklaruar si punonjëse ndërkohë që ajo ishte thjesht një kursante dhe në asnjë rast nuk është paguar.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan Bashkisë Divjakë për të kuptuar se pse kësaj familje në nevojë i ishte ndërprerë ndihma ekonomike. Përgjegjësi i ndihmës ekonomike pranë kësaj bashkia, Ledio Muço u shpreh se e njihte shumë mirë rastin e familjes Gjini. Ai shpjegon se kjo familje është skualifikuar nga skema e ndihmës ekonomike, pasi nuk kishin bërë deklarimin se vajza e tyre ishte e punësuar në rrobaqepsi pasi në sistem ajo figuronte me kontribute. Kjo nga ana e zyrës së ndihmës ekonomike lexohej si ndryshim i gjendjes ekonomike të familjes “Në sistem del që asaj i kanë hedhur kontribute pavarësisht se ajo thotë se nuk ka marrë pagesë dhe sistemi e ka refuzuar automatikisht” shpjegon Muço. Pasi kanë marrë vërtetim nga zyra e punës familjes Gjini i është thënë të aplikojë sërish ku në muajin tetor kanë dal fitues. “Përsa i përket muajve nga marsi deri në shtator nuk do t’i rimbursohen pasi kanë bërë deklarim të rremë “pohon Muço. I pyetur nga gazetarët e Fiksit se çfarë ndihmese ka marrë kjo familje nga Bashkia Divjakë, punonjësi i bashkisë shprehet se bashkia është e vogël dhe nuk ka pasur mjaftueshëm fonde për të ndërhyrë në ndërtimin e shtëpisë së familjes Gjini. Por ai shprehet për Fiks Fare se në fillim të janarit do të bëjnë të mundur për të gjetur fondin e rindërtimit të shtëpisë.

Me fillimin e vitit të ri 2020 familja Gjini falenderon Fiks Fare , pasi me interesimin e emisionit u bë e mundur reagimi i Bashkisë Divjakë, ku më në fund familjes Gjini do i rikonstruktohet nga e para shtëpia. Gjatë kësaj kohe familjes Gjini iu sigurua edhe bonusi i qirasë deri në përfundimin e ndërtimit të shtëpisë./TCH

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey