Vazhdon sot gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Sot vazhdon gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve.

Pasditen e së martës pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit.

Ata po akuzohen për krim të organizuar lidhur viza italiane.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 31 maj, gjatë së cilës janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, mirëpo pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, lënda tanimë gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë të lartcekur janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, në këtë formë gjykimi do të jetë më efikas, raporton “Betimi për Drejtësi.

Më parë, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit të tyre, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey