Vetting edhe në Kosovë, kërkohet të nisë brenda 2020

Organizatat që mbikqyrin sistemin e drejtësisë në Kosovë ankohen se disa prokurorë e gjyqtarë janë caktuar pa meritë në postet e tyre. Këto organizata kërkojnë fuqizimin e mekanizmit për matjen e performances. 2020-ta shihet prej tyre si viti ideal për nisjen e procesit të vetingut, i cili ne vetvete konsiderohet si mënyra e vetme për rikthimin e besimit tek gjyqësori.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se shpresat janë që ky vit të përkthehet në vullnet politik të qeverisë së ardhshme për të nisur përgatitjet e një procesi të vetingut në Republikën e Kosovës.

“ Ne e kuptojmë që nevojiten përgatitje dhe plotësim e ndryshim i kornizës ligjore. Por në anën tjetër, e kemi përsëritur pa reshtur këto vitet e fundit se që pa një proces vetingu do të jetë pothuajse e pamundur që sistemi i drejtësisë të ripërtërihet; sistemi i drejtësisë duhet të zgjidhë kërkesat e qytetarëve të Kosovës, e të ofrojë një drejtësi të bazuar në ligj, të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë për të gjithë”, është shprehur ai.

Edhe Yllka Buzhala, nga Lëvizja Fol, këmbëngul se vetingu në drejtësi është i domosdoshëm, por ajo shton se duhet të bëhet shumë kujdes me mënyrën e organizimit, duke theksuar nevojën për të parë se cfarë grupesh pune dhe ekspertësh do të përfshihen në këtë proces.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey