Vrasja e hendbollistit kroat para një lokali në Shkup, opinioni kroat kërkon llogari

Rasti i vdekjes së hendbollistit kroat të klubit “Butel”-Shkup, Denis Tot vazhdon të trazojë opinionin kroat dhe në rajon.

Mediat kroate shkruajnë se kjo është e paprecedentë dhe rasti po mbulohet qëllimisht.

” Janë të komprometuar politikisht, kreu i spitalit i ka futur gjërat nën qilim. Do të jetë një skandal i madh”, kështu e cilësojnë rastin mediat kroate.

Gjegjësisht, fillimisht institucionet maqedonase dolën me informacion se hendbollisti i Butelit në orët e hershme të mëngjesit ishte sjellë në klinikat e Shkupit pa vetëdije dhe pa gjurmë dhune, ndërsa pas disa orësh sërish dolën me informacione të kundërta me atë të mëparshme.

“MPB-ja informon opinionin se dje (07.04.2022) në ora 04:11 nga Qendra Klinike në SPB Shkup është raportuar se tek ata është sjellë DT pa ndjenja, pa gjurmë të dukshme të dhunës. dhe menjëherë i është dhënë ndihma mjekësore. SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit dhe për këtë do ta informojmë opinionin”, njofton MPB.

Pas disa orësh, MPB bëri me dije se në fakt ka qenë një sulm fizik ndaj tashmë të ndjerit dhe për të njëjtën ngjarje fatkeqe dyshohen disa persona.

Lidhur me rastin e të ndjerit Daniel Tot (28) pas incizimeve të siguruara dhe masave dhe aktiviteteve plotësuese nga SPB Shkup janë konstatuar këto fakte.

Më datë 07.04.2022, rreth orës 03:30, përballë një lokali nate në parkun e qytetit, ka pasur një debat verbal mes hendbollistit 28 vjeçar nga Republika e Kroacisë, me vendbanim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut dhe tre personave tjerë me inicialet A.Lj. (28), K.L. (19) dhe A.K.(22) të gjithë nga Shkupi, gjatë së cilës të tre e kanë sulmuar dhe e kanë goditur hendbollistin në kokë, i cili është përplasur për tokë dhe ka humbur ndjenjat.

Pas marrjes së njoftimit nga MPB për një ngjarje kriminale me pasoja fatale, Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka nisur hetimin e të gjitha rrethanave për zbardhjen e ngjarjes ka lëshuar një sërë urdhrash: Urdhri për autopsi të ndjerit, një urdhër për sigurimin e videove nga kamerat e sigurisë – Qyteti i sigurt dhe klubi i natës, si dhe për të dëgjuar më shumë persona që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes dhe mund të japin informacionin e nevojshëm për hetimin.

Në bazë të videove të shqyrtuara janë identifikuar tre persona për të cilët prokurori në fjalë pas pranimit të kallëzimit penal do të lëshojë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të dyshuarit, mes tyre edhe një vajzë (19), kanë kryer veprën penale vrasje.

Dy nga të dyshuarit janë privuar nga liria dhe sot do të paraqiten para gjyqtarit në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ndërsa i dyshuari i parë i cili është i paqasshëm për organet e rendit është në kërkim.

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Gjeontologjisë mëngjesin e sotëm është kryer autopsia e të ndjerit dhe sipas të dhënave fillestare, edhe pse nuk ka pasur lëndime të dukshme, vdekja ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e lëndimeve në tru të shkaktuara nga goditjet.

Rasti i vdekjes së Denis Tot është cilësuar nga mediat kroate si një skandal i madh dhe tentativë për ta mbuluar atë.

“Ky do të jetë një skandal i madh, nëse nuk do të ketë presion nga prokuroria. Është turp për çdo mjek. Shpresoj që të gjithë të përgjigjen”, theksoi për televizionin kroat “24 Sata” një burim i lartë në Klinikat e Shkupit.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey