Vrau dy komisionerë në zgjedhjet e 1997, ja kush është i arrestuari në kërkim nga Interpol (EMRI)

Kastriot Fejzo 49 vjeç ishte në listën e më të kërkuarve të Policisë së shtetit. Fotoja e tij ka qenë e publikuar në disa vende, pa diskutuar edhe shumë të shpërndara në pikat kufitare. Askujt nuk ia merrte mendja, se personi i kërkuar në Shqipëri dhe më gjerë qarkullonte lirshëm në Tiranë dhe se për të arrestimi është bërë me lejhtësinë më të madhe.

Kastriot fejzo u arrestua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy komisionerëve zgjedhorë të Partisë Socialiste ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Lidhur me këtë ngjarje ai ishte dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim, një dënim i konsideruar i lehtë për krimin, por ndoshta hapësirat ligjore e “detyruan” Drejtësinë të jetë dorëlëshuar në këtë rast dhe se për këtë krim janë disa persona të akuzuar.

Në momentin e ndalimit ai është prezantuar me gjeneralitetet e kushëririt të tij, por pas shoqërimit në komisariat ka rezultuar se ishte personi i shpallur në kërkim.

Atij i janë gjetur dhe sekuestruar 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, që sipas policisë ishin të përfituara në mënyrë jo të ligjshme. Fejzo kërkohej prej kohësh nga Interpoli për vrasjen e dy komisionerëve zgjedhorë në Ersekë Nako Skupra dhe Ilirjan Arapi. Ngjarja e rëndë u shënua në 29 qershor të 1997 në Ersekë ku i arrestuari i sotëm ekzekutoi komisonerët e Partisë Socialiste në momentin e transportimit të kutive të votimit në bashkinë e këtij qyteti.

Gjatë kësaj ngjarje mbetën të plagosur edhe shtetasit Taqo Skupra, Alfred Shehu, Kastriot Zenollari, Arben Arapi dhe Shaban Koxhaj. Për ngjarjen e 29 qershorit 1997 në Ersekë u akuzuan 7 persona. Nga këta 4 janë arrestuar, kurse tre të tjerë dyshohen se fshihen në Angli. Tre personat që dyshohet se fshihen në Angli janë Hysni Dervishi, Roland Hasani dhe Spartak Sageri.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey