Xavi e nis me dorë të hekurt te Barcelona; ‘viktima’ e tij e parë është… Pique

Synimi është kthimi i Barcelonës aty ku e meriton, pra në zonat e larta të renditjes së La Liga-s dhe protagoniste në Champions. Për ta bërë këtë, trajneri i ri, Xavi, është gati të marrë vendime të rëndësishme ndaj disa veteranëve.

Siç raportohet nga “Marcache”, duke cituar Juanma Castaño të “El Partidazo” në “Cadena COPE”, lëvizja e parë e trajnerit ishte ndalimi i Gerard Pique të japë intervistën e planifikuar për javën e ardhshme në programin “El Hormiguero”.

Një nga temat e nxehta në bazë të “rilindjes” së klubit, që synon Xavi, është pikërisht përqendrimi maksimal i lojtarëve në çështjet e fushës dhe futbollit në përgjithësi. Kjo është arsyeja pse vendimi i parë ishte pikërisht ky, për të shmangur që lojtarët e tij, kushdo qofshin ata, të shfaqen shpesh në ngjarje të ndryshme publike, që nuk kanë lidhje me botën e futbollit.

Në këtë kuptim, “ndalimi” i parë vendoset ndaj Piqué. Në fakt, mbrojtësi spanjoll shpesh shfaqej në intervista apo takime që nuk ishin shumë të rëndësishme për profesionin e tij aktual. Ndërkohë, e përditshmja spanjolle “AS” zbuloi dje 10 rregullat, që Xavi do t’i kërkojë skuadrës t’i respektojnë medoemos:

1 – Xavi do të vendosë një orar të ri për seancat stërvitore: afati i fundit për mbërritjen e lojtarëve do të jetë në 09:30, një orë e gjysmë përpara fillimit të seancës. Në këtë mënyrë do të ketë hapësira për bisedat mes futbollistëve dhe ish-mesfushorit.

2 – Do të ndryshojnë oraret edhe për stafin me asistenët e tij, si dhe pjesën tjetër që do të duhet të paraqiten dy orë para seancës stërvitore, për të qenë gati në mbërritjen e lojtarëve.

3 – Gjatë ditës, skuadra do të duhet ta konsumojë drekën vetëm në sallën e ngrënies të klubit, me një dietë të fiksuar sipas parametrave të ekspertëve të ushqimit të klubit.

4 – Xavi do të vendosë një kod të rreptë sjelljeje, që parashikon gjoba edhe për faulle që mund të bëhen në stërvitje. Kjo ide është marrë direkt nga eksperienca me Pep Guardiola.

5 – Janë parashikuar gjoba edhe për ata që do të vonohen dhe do të rriten në rast se gabimi do të përsëritet: 100 euro për gabimin e parë, 200 për të dytin e kështu me radhë.

6 – Më pas do të ketë një kontroll edhe për aktivitetin e jashtë të skuadrës, para ndeshjeve: futbollistët do të duhet të kthehen në shtëpi brenda mesnatës.

7 – Xavi do të zgjedhë lojtarët që do të zbresin në fushë në bazë të një sistemi meritokracie. Nuk do të ketë titullarë fiks: vendi në skuadër do të duhet të fitohet falë punës së bërë në ndeshje dhe në stërvitje.

8 – Xavi dhe stafi i tij do të kontrollojnë të gjitha aktivitetet e futbollistëve që mund të ndikojnë te paraqitja e tyre në fushën e lojës. Për shembull, do të jenë të ndalura udhëtimet e shpeshta private.

9 – Do të jenë të ndaluara edhe të gjitha aktivitetet e lojtarëve që konsiderohen të rrezikshme. Xavi synon të shmangë në çdo mënyrë dëmtimi, lojtarët do të gjobiten në rast të shkeljeve.

10 – Në fund, të gjithë lojtarët do të duhet të ruajnë imazhin e mirë të klubit: do të duhet të respektojnë rregullat, të përshëndesin dhe të ndërveprojnë me tifozët, të mbështesin skuadrën dhe të shmangin sjelljet e gabuara.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey