Zgjedhjet lokale, Sinani: Zaev ka njohur mentalitetin shqiptar dhe po luan me partitë shqiptare

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe të këshillave komunale ditën e djeshme (17 tetor).

Sipas rezultateve paraprake në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut janë zgjedhur krerët e komunave në 32 prej tyre, ndërsa në 42 të tjera do të ketë një raund të dytë në datën 31 tetor. BDI ka 3 komuna deri tani.

Arsim Sinani u shpreh për RTV Ora se fushëbeteja kryesore mbetet Tetova ndërsa shtrohet pyetja “A do të kthehet BDI në Tetovë?”

Sinani: “Duket se bastionet janë ruajtur dhe tani opozita e kontrollon qytetin e Dibrës që dhe gjeografikisht ka një lidhje me Shqipërinë, ndërsa në anë tjetër do të kemi një garë mjaft interesante në Shkup, Tetovë, Strugë dhe disa komuna rurale ku mendoj se do të maten muskujt mes partive politike shqiptare në opozitë dhe mazhorancë. Në Tetovë kemi pasur 5 kandidatë të fortë dhe kjo mendoj se ka qenë interesante për shkak të matjes së fuqive dhe kjo do të na sjellë një garë interesante e me shumë të panjohura. Fushëbeteja kryesore mbetet Tetova. A do kthehet BDI në Tetovë? Kjo është pyetja që parashtrohet.”

Zoti Sinani gjatë intervistës me gazetaren Beti Njuma u shpreh se në plan të parë vendoset kush do të jetë drejtuesi i një qyteti, prandaj shohim edhe koalicione jo racionale të cilat ndodhin aty. Ajo që është shqetësuese për zotin Sinani është lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë e cila tenton që me kandidaturat e ndryshme të arrijë të futet në trupin votues të qytetarëve për të kontrolluar zhvillimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Partitë politike duhej të reagonin sipas tij dhe jo të lejonin që një parti maqedonase të futet të vendosë në vendbanimet shqiptare.

Sinani: “Zaevi është një njeri që ka arritur ta kuptojë mentalitetin e shqiptarëve dhe po luan me partitë politike shqiptare, si ato që i ka në qeverisje. Në një farë mënyre shumë lehtë mund të ndodhë që të kemi një krizë qeveritare për shkak të rrethanave dhe përcaktimit se nga do të shkojë lidhja Social0demokratike dhe mund të ndodhë që pas zgjedhjeve të kemi një ndryshim, rënie të qeverisë dhe krijim të një koalicioni të ri. Aleanca për shqiptarët mendoj se mund të futet me lidhjen Social-demokrate, por në anë tjetër mund të ndodhë dhe një koalicion që LSDM-ja të blejë disa deputetë të opozitës dhe të heqë nga qeverisja Lëvizjen Besa. Kjo do të zhvillohet në Tetovë dhe do të shohim se si do të shkojnë rrethanat dhe si do të pozicionohet lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë aty.”/OraNews/

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey