Zgjidh Gostivarin

Më 1 korrik ka filluar zyrtarisht fushata turistike “Zgjidh Gostivarin”, që nxit të gjithë turistët e rajonit dhe më gjerë, që të vizitojnë qytetin tonë. Me modesti do të shfrytëzoj edhe faqen e kësaj gazete tek e cila prej vitesh është dritarja ime, për të folur për qytetin tim…

Nga Dr. Arben TARAVARI

Në të gjithë këto vite politikë, e sidomos në këto vitet e fundit që drejtoj Komunën e Gostivarit, kam qenë dëshmitar i një fatkeqësie të madhe që ka ndodhur me shoqërinë. Politizimi i saj, i nxitur nga persona të papërgjegjshëm, që kanë bërë karrierë të mbështetur mbi urrejtje, politizimi pra i injektuar nga disa parti fashiste, kanë sjellë një ndarje të madhe të shoqërisë. Është e dhimbshme të shikosh se si votuesit trajtohen si tifozë nga partitë, i hipnotizojnë duke i folur për principe e kinse vlera, por në fakt i kthejnë në viktima të partisë!

Dihet botërisht tashmë se një nga ndarjet e shumta të Maqedonisë, është bërë partia. Ka arritur puna sa edhe familjarët janë ndarë përjetë nga tifoza partiake, e as në dasma e vdekje nuk kanë pranuar të pajtohen. Është një lojë perfide që disa parti diabolike kanë luajtur me popullin e ndershëm dhe të varfër, duke shfrytëzuar pikërisht këto dy cilësi- varfërinë dhe ndershmërinë. Është propaganduar se “ai që ndërron parti është tradhtar” dhe të varfrit janë gënjyer në vazhdimësi nën strategjinë “ajo që është gënjeshtër për një të varfër e ka emrin shpresë”!

Dhe kështu, ndarjet e tmerrshme, me kurban vetëm popullin kanë vazhduar e vazhdojnë duke e bërë gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi edhe më të rëndë.

Në këtë amulli e angushti, unë dhe ekipi im, vendosëm të shpallim një fushatë të re, e para e llojit të vet në historinë e qytetit tonë. Gostivari është një qytet që ka shumë gjëra të mira, fundja si çdo qytet në Ballkanin e vjetër e plot histori, por mbi të gjitha Gostivari banohet nga njerëz të mirë e mikpritës. Duke parë se pavarësisht ndryshimeve fetare dhe etnike ose ato partiake, ka një gjë që qëndron mbi të gjitha për secilin nga ne, atëherë vendosëm që për herë të parë, të luajmë të gjithë si një skuadër e vetme bashkuar rreth një dashurie të përbashkët, e kjo dashuri është Gostivari. Sidomos tani që mërgimtarët i kthehen qytetit, ideja e promovimit të tij u bë më e fortë se kurrë. Mërgimtarët janë një leksion dashurie për vendlindjen. Sa herë ata ikin bëjnë edhe një funeral të vogël të zemrës tyre, duke e lënë përjetë në tokën ku kanë lindur. Malli i tyre as nuk i shikon ndarjet, inatet, mëritë. Sytë e tyre shikojnë vetëm Gostivarin dhe asgjë më shumë se ai. Ndaj dhe ne vendosëm të shohim me sy të përbashkët, njësoj të rëndësishëm, Gostivarin tonë.

E nisëm me një pyetje instriguese që për disa ditë zgjoi kureshtje aq sa edhe nxori keq disa njerëz që ia kanë shitur shpirtin partisë. Kështu u hamendësua se kjo ishte një pyetje me karakter politik. E pritshme dhe e kuptueshme derisa të gjithë tani vrapojnë pas ndezjes së makinave elektorale. Por pati edhe disa fatkeq, të cilët e keqpërdorën pyetjen, dhe kthenin përgjigje ku denonconin vet qytetin e tyre! Nuk ka koment për këta fatzinj të cilët mund të kenë shënuar autogolin më të dënueshëm në jetën e tyre…

Të keqardhur për ta, por të vendosur në qëllimin tonë, ne vazhduam. Kështu në datën 1 korrik ka filluar zyrtarisht fushata turistike “Zgjidh Gostivarin”, që nxit të gjithë turistët e rajonit dhe më gjerë, që të vizitojnë qytetin tonë. Me modesti do të shfrytëzoj edhe faqen e kësaj gazete tek e cila prej vitesh është dritarja ime, për të folur për qytetin tim. Gostivari ka qenë dhe është një nga vendet me historinë më interesante që mund të gjendet në këto troje. Pika arkeologjike, objekte fetare që datojnë prej mesit të mijëvjeçarit të kaluar, janë një dëshmi e gjallë e ngjarjeve që kanë shkruar historinë e disa shteteve.

Kulinaria gostivarase, është nga më të njohurat e të preferuarat në botë. Specialitetet e saj, si për shembull akullorja, që ka teknikë krejt të veçantë të përgatitjes, do të jenë një eksperiencë e paharruar për këdo që do të vijë të kalojë disa ditë në qytetin tonë. Gostivari mban vendin e parë në Maqedoni për tregun e arit. Artaritë më të mira të vendit e padyshim disa nga më të mirat në krejt Rajonin, do t’i gjeni këtu. Modelet më të mira, artin e punimit të floririt dhe cilësinë më të lartë të tij, do të mund ta gjeni dhe pse jo ta blini në Gostivar. Një nga gjërat më të bukura që Zoti i ka falur qytetit tonë është natyra. Tek ne mund të shikoni me sy të lirë lindjen e lumit Vardar, i cili më pas zbukuron qytetin tej për tej.

Fshatrat tanë dhurojnë rehati e njëkohësisht mikpritje e bujari për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrë të pastër dhe ushqim të mirë. Modernia dhe historia janë harmonizuar në qytetin tonë, por mbi të gjitha janë gostivarasit, të cilët me zemrën e tyre të madhe, do ju a bëjnë pushimin tuaj në Gostivar, një ngjarje të paharrueshme…ndaj nëse do të njohësh një qytet të mirë, këtë verë Zgjidh Gostivarin!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey