Ziadin Sela: 2021 ishte një vit i vështirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Kreu i partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela në takimin për fundvit të zhvilluar me gazetarët, bëri një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve që ka ndodhur gjatë vitit që po lëmë pas.
Sela tha se ky vit ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë, por shtoi se kjo u bë edhe më tepër e vështirë për shkak të siç tha ai, paaftësive të politikanëve të cilët menaxhuan këtë dikaster.
“Në vendin tonë lidhur me pandeminë punët nuk janë bërë siç duhet. Maqedonia mbetet edhe më tej një ndër shtetet me më shumë viktima, si pasoj e koronavirusit. Kjo flet për një sistem shëndetësor që nuk është në nivelin e duhur të detyrës. Qytetarët tonë po vuajnë si pasoj e neglizhencës së politikanëve të cilët kanë keqpërdorur pozitën e tyre për interesa personale”, deklaroi Sela.
Ai përmendi edhe tragjedinë në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 qytetarë, ndërsa gjatë konferencës përmendi edhe tragjedinë në Bullgari ku jetën e humbën 45 qytetarë të vendit.
Sipas tij është e papranueshme që nuk merret përgjegjësia dhe se çdoherë në raste të tilla përdoret formula “hetimet vazhdojnë”.
“Edhe për rastin me djegien e autobusit të Besa Trans në Bullgari ku humbën jetën 45 qytetarë të RMV-së, hetimet vazhdojnë dhe nuk ka përgjegjësi. Nuk ka përgjegjësi dhe hetimet vazhdojnë edhe për rastin e Durmo Turs”, tha Sela.
Sela foli edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura ku tha se qytetarët nuk kanë mundur me vullnet të lirë të vendosin se kush do t’i përfaqësoj ata.
Në fund Sela tha se partia e tij, Aleanca për Shqiptarët do të mbaj kongresin partiak dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë pjesë e kësaj partie.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey