Zidane, i fyer nga Real Madrid

Zinedine Zidane dha dorëheqjen për herë të dytë nga Real Madrid dhe kësaj radhe është lamtumirë dhe jo mirupafshim, të paktën nisur nga fjalët e tij. Trajneri francez, në një letër të hapur për tifozët, e publikuar nga e përditshmja sportive AS, sqaron arsyet e largimit nga “Los Blancos”. Zizu thotë se kishte nderin të vishte bluzën e bardhë dhe të drejtonte Real Madrid dhe për këtë i është mirënjohës presidentit Florentino Perez. Por së fundmi nuk e kishte mbështetjen e klubit. Trajneri ndihet i fyer.

“Nuk më japin besimin që kam nevojë. Është harruar gjithë ajo që kam ndërtuar ditë pas dite, atë që ka kontribuar në marrëdhëniet me lojtarët, me 150 personat që punojnë rreth skuadrës”, tha ai.

Zidane kërkoi të respektohej ajo që kishin bërë së bashku. Atij do t’i pëlqente që muajt e fundit marrëdhënia me klubin dhe presidentin të kishte qenë pak më ndryshe nga ajo e trajnerëve të tjerë. Ai nuk po kërkonte privilegje, por pak më shumë kujtesë.

Sipas francezit, sot jeta e një trajneri në stolin e një klubi të shkëlqyeshëm është dy sezone, jo më tepër. Por duhet të zgjasin më gjatë marrëdhëniet njerëzore që janë thelbësore, më të rëndësishme se paratë dhe më e rëndësishme se fama.

Zidane përmend se pas një humbjeje, ishin gati ta largonin nëse nuk do të vinte fitorja ndeshjen tjetër. Zizu thotë se ishin futbollistët ata që e shpëtuan me paraqitjet e tyre.

Nën drejtimin e tij, Real Madrid ka fituar 2 kampionate, 2 Superkupa në Spanjë, 3 Champions League, 2 Superkupa të Europës dhe 2 Botërore për klube.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey