Ali Ahmeti nga Saraji: Me rininë i bëmë ndryshimet, bashkë do të vazhdojmë t’i bëjmë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sonte në Kuvendin Zgjedhor të Forumit Rinor të degës së BDI-së në Saraj, ku është zgjedhur udhëheqësia e re e këtij forumi.
Ahmeti ka uruar Ramadan Eminin për zgjedhjen në krye të Forumit Rinor të Degës së Sarajit, si dhe të gjithë anëtarët e zgjedhur.
“Urime Ramadan Eminit për zgjedhjen në krye të Forumit Rinor të Degës së Sarajit, si dhe të gjithë anëtarëve të zgjedhur sonte. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi dhe angazhim të ri!”, ka shkruar Ahmeti.
Në mesazhin e tij, kreu i BDI-së ka vënë theksin te roli i të rinjve në proceset politike dhe ndryshimet në vend, duke paralajmëruar vazhdimin e angazhimit politik së bashku me rininë.
“Me rininë i bëmë ndryshimet në Maqedoninë e Veriut, me rininë do të vazhdojmë t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe bashkë do t’i mposhtim puthadorët që kanë harruar se përfaqësimi dhe dinjiteti nuk negociohen”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka përfunduar mesazhin me vlerësimin se rinia mbetet një faktor i rëndësishëm në angazhimin politik të partisë.
“Rinia ka qenë dhe mbetet forca e ndryshimit”, ka theksuar Ali Ahmeti. Flaka
The post Ali Ahmeti nga Saraji: Me rininë i bëmë ndryshimet, bashkë do të vazhdojmë t’i bëjmë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.