Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Ali Ahmeti përkujton Tahir Hanin: Për më shumë se katër dekada ecëm së bashku mbi të njëjtat ideale

08 Nën 2026, 20:00

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar figurën dhe kontributin e Tahir Hanit në një Akademi Përkujtimore të mbajtur në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, duke vlerësuar angazhimin e tij në çështjen kombëtare, politike dhe institucionale.

Ahmeti, i cili tha se me Tahir Hanin e lidhte një miqësi dhe bashkëpunim prej më shumë se katër dekadash, theksoi se së bashku kishin ndarë të njëjtat ideale dhe kishin vepruar në kuadër të Lëvizjes Kombëtare.

„Tahir Hanin e kam njohur për më shumë se katër dekada. Kemi ecur së bashku, kemi punuar dhe vepruar mbi të njëjtat ideale, fillimisht në kuadër të Lëvizjes Kombëtare, e cila kulmoi me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai rikujtoi gjithashtu angazhimin e Hanit në BDI që nga themelimi i kësaj partie, si dhe kontributin e tij në institucione të ndryshme të vendit.

Sipas Ahmetit, Tahir Hani kishte ushtruar disa funksione të rëndësishme, përfshirë atë të deputetit në Kuvend, ministrit dhe zëvendësministrit në pushtetin ekzekutiv, si dhe së fundmi zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Një dimension të veçantë të veprimtarisë së tij, Ahmeti e veçoi edhe angazhimin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” dhe sigurimin e hapësirave në ish-kazermën “Ilinden” në Shkup, ku sot funksionon ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

„Kontributi i tij nuk matet vetëm me funksionet që ushtroi, por mbi të gjitha me idealet që i shërbeu, me përgjegjësinë që dëshmoi dhe me gjurmët që la në rrugëtimin tonë të përbashkët politik, kombëtar dhe institucional”, theksoi Ahmeti.

Në mesazhin e tij përkujtimor, kreu i BDI-së shprehu mirënjohje për jetën dhe veprën e bashkëveprimtarit të tij, duke nënvizuar se kujtimi dhe kontributi i Tahir Hanit do të mbeten pjesë e historisë së përbashkët.

„Miku im i shtrenjtë, Tahir, kujtimi për ty do të mbetet i gjallë, ndërsa vepra dhe kontributi yt do të jenë pjesë e historisë sonë të përbashkët”, përfundoi Ahmeti. Gazeta Flaka

The post Ali Ahmeti përkujton Tahir Hanin: Për më shumë se katër dekada ecëm së bashku mbi të njëjtat ideale appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Shkupi do të zbukurohet me dekoracione të reja për Vitin e Ri: kjo do të vendoset në shesh Policia në Shkup kontrollon shqiptarë me flamur kombëtar gjatë 28 Nëntorit Dhunë mes nxënësve në shkollën fillore të Aerodromit: dy bashkëmoshatarë sulmojnë, njëri filmon (VIDEO): Vetura përmbyset në rrugën Strazhë– Gostivar, intervenon edhe ekipi i zjarrfikësve