Çairi filloi festimet e Nëntorit me programin e nxënësve të shkollave fillore
Çairi filloi festimet e Nëntorit me programin e nxënësve të shkollave fillore
Në Teatrin Shqiptar në Shkup, nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Çairit nisën aktivitetet e manifestimit “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”. Programi, i përgatitur nga vetë nxënësit, përfshinte këngë, recitale dhe valle tradicionale, kushtuar Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe vlerave historike dhe kulturore të Nëntorit.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, përshëndeti aktivitetin dhe vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe mësimdhënësve. Ai theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj në frymën e vlerave kombëtare. Në manifestim ishin të pranishme edhe deputetja Merita Koxhaxhiku dhe Mjellma Gashi, përgjegjëse në Sektorin e Arsimit të Komunës së Çairit.
Në fund të manifestimit u ndanë mirënjohje për mësimdhënësit që kontribuuan në realizimin e programit, duke përfshirë edhe mësimdhënësit e artit figurativ.
Ky program shënoi hapjen e javës festive “20 Vjet Krenari”, të organizuar nga Komuna e Çairit në nder të 20-vjetorit të vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Sheshin “Skënderbeu”. Festimet do të vazhdojnë deri më 28 Nëntor me koncertet dhe aktivitete kulturore, duke kulmuar me manifestimin qendror në Sheshin “Skënderbeu”.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.