Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Fushata e VLEN-it kundër Ali Ahmetit po i kthehet bumerang, aktivistët e BDI-së reagojnë me kritika dhe akuza

12 Nën 2026, 18:20

Kërkesa e VLEN-it për dorëheqjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka nxitur reagime të shumta nga analistë, aktivistë dhe përfaqësues të BDI-së. Në vend që të mbetet vetëm një përballje politike mes dy subjekteve, kjo kërkesë ka hapur një debat më të gjerë për përgjegjësinë e pushtetit, përfaqësimin e shqiptarëve dhe legjitimitetin politik.

Analisti Sefer Selimi e interpreton kërkesën e VLEN-it si përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështja e Alta Bankës dhe përgjegjësia e Qeverisë.

„Kur të kapin me presh në dorë, si në rastin e Qeverisë me Alta Bankën, fillon në panik të hedhësh tema e akuza të tjera për të shpërqendruar vëmendjen nga skandali. Kjo është edhe strategjia e partisë së gjysmë-kryetarëve me kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të një partie tjetër. Asgjë më shumë!“, ka shkruar Selimi.

Ai e ka cilësuar këtë qasje si teknikën politike „Red Herring“, përkatësisht devijimin e vëmendjes nga një çështje kryesore përmes hapjes së një debati tjetër.

Aktivistët e BDI-së: Kryetarin e zgjedh anëtarësia, jo VLEN-i

Reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga aktivistë të BDI-së. Adem Avziu ka kritikuar ata që sot kërkojnë dorëheqjen e Ali Ahmetit, duke i akuzuar se më herët kanë përfituar nga pozitat dhe lidhjet politike në BDI, ndërsa tani, sipas tij, i shërbejnë pushtetit aktual.

„Ani kush i kërkon sot dorëheqjen Ali Ahmetit! Do këlyshë e do lëpirës që për vite me radhë janë servilosur në BDI“, ka shkruar Avziu, duke pretenduar se të njëjtët persona kanë ndryshuar vetëm adresën e përfitimeve dhe të servilizmit politik.

Ndërkaq, aktivistja Ardiana Stafaj ka ngritur çështjen e legjitimitetit të kërkesës së VLEN-it, duke pyetur se çfarë funksioni shtetëror ushtron aktualisht Ali Ahmeti.

„Kryetarin e BDI-së e zgjedh kongresi i partisë, jo VLEN-i. Demokracia nuk njeh presione dhe fjalë boshe, por votë dhe legjitimitet!“, ka reaguar Stafaj.

BDI-ja rikthen në debat përfaqësimin dhe çështjet shqiptare

Anëtari i BDI-së, Arjanit Hoxha, e ka shfrytëzuar debatin për të ngritur një sërë çështjesh që, sipas tij, tregojnë dështimin e VLEN-it në raport me interesat e shqiptarëve në Qeveri.

Ai ka përmendur punësimet në Spitalin e Kumanovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfaqësimin në Akademinë Ushtarake, përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, provimin e jurisprudencës në shqip, mungesën e investimeve në zonat shqiptare dhe pozitën e të punësuarve shqiptarë në administratën shtetërore.

Sipas shifrave që Hoxha ka publikuar, në Spitalin e Kumanovës nga 60 punësime vetëm një është shqiptar, ndërsa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë janë 162 maqedonas dhe 13 shqiptarë. Ai gjithashtu ka pretenduar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë punësuar 550 maqedonas dhe 50 shqiptarë.

„VMRO ia bën 100 me 1 VLEN-it në çdo sferë, ndërsa VLEN-i ka një hall tjetër: dorëheqjen e Ali Ahmetit!“, ka shkruar Hoxha.

Edhe Berat Ajdari ka reaguar ndaj kërkesës së VLEN-it, duke i sfiduar përfaqësuesit e këtij koalicioni që, sipas tij, të tregojnë të njëjtin guxim përballë kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq.

„Ata që sot kërkojnë me aq zell dorëheqjen e liderit Ali Ahmeti, le ta tregojnë guximin e tyre përballë shefave të tyre politikë Mickovskit e Stoilkoviçit. Por jo, aty heshtin dhe bëhen pula e u humbet zëri“, ka shkruar Ajdari.

Forumi Rinor i BDI-së: Zhurma politike nuk prodhon legjitimitet

Në mbrojtje të Ahmetit ka dalë edhe Forumi Rinor i BDI-së, i cili ka vlerësuar se një lider me histori dhe peshë politike nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes ultimatumeve dhe deklaratave të përditshme të kundërshtarëve politikë.

„Kërkesat për dorëheqje nga VLEN-i nuk ndryshojnë as qëndrimin tonë, as mënyrën se si BDI-ja i merr vendimet e saj. Ne jemi krenarë për liderin tonë, Ali Ahmetin, për rrugëtimin e tij politik dhe kontributin ndër vite“, thuhet në reagimin e Forumit Rinor.

Sipas tyre, kryetarin e BDI-së e përcaktojnë strukturat dhe anëtarësia e partisë, ndërsa jo kundërshtarët politikë përmes konferencave për shtyp.

„VLEN-i duhet ta kuptojë se zhurma politike nuk prodhon legjitimitet dhe kërkesat për dorëheqje nuk janë dëshmi force politike“, thuhet më tej në reagim.

Ndërkohë, aktivistja Lejla Emruli ka përcjellë një mesazh të shkurtër, por domethënës në këtë përplasje politike: „Nuk mund ta fshish historinë e dikujt tjetër, për ta mbuluar mungesën e historisë tënde!“

Reagimet e shumta nga radhët e BDI-së tregojnë se kërkesa e VLEN-it për dorëheqjen e Ali Ahmetit ka mobilizuar strukturat dhe mbështetësit e kësaj partie në mbrojtje të liderit të tyre. Në vend që debati të kufizohet te përgjegjësia politike e Ahmetit, ai po shndërrohet në një përballje më të gjerë, ku VLEN-i përballet me kritika për rezultatet e pjesëmarrjes në Qeveri dhe për çështjet e hapura që prekin shqiptarët.

Në këtë kuptim, ajo që VLEN-i synonte ta kthente në presion politik ndaj liderit të BDI-së, po shfrytëzohet nga kundërshtarët e tij si mundësi për të rikthyer në qendër të debatit përgjegjësinë e vetë pushtetit. Flaka

The post Fushata e VLEN-it kundër Ali Ahmetit po i kthehet bumerang, aktivistët e BDI-së reagojnë me kritika dhe akuza appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

LSDM: Me ndërprerje të seancës, pushteti pengoi deputetet e opozitës të parashtrojnë pyetje parlamentare 30 mijë vaksina të reja kundër gripit, Klekovski paralajmëron zgjerimin e vaksinimit Alta Banka: Mickoski dhe VLEN-i nuk publikuan dokumente, BDI dhe LSDM kundërshtojnë me vendime Privohet nga liria 59 vjeçari, dhunon bashkëshorten dhe vjehrrën në shtëpinë e tyre