Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Kasami: Nëse BDI-ja fiton një deputet më shumë se VLEN-i, do ta shqyrtojmë bashkëqeverisjen

12 Nën 2026, 23:20

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, e ka lidhur mundësinë e pjesëmarrjes së BDI-së në Qeveri pas zgjedhjeve të ardhshme me rezultatin që kjo parti do të arrijë në raport me VLEN-in.

Në një paraqitje në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Kasami e zhvendosi debatin nga pretendimet për përfaqësimin e shqiptarëve te mënyra se si do të pozicionohen partitë në garën e ardhshme zgjedhore.

Ai kërkoi që BDI-ja të qartësojë nëse do të garojë si subjekt i bllokut shqiptar, përmes një koalicioni multietnik apo në kuadër të një kombinimi më të gjerë politik me parti si LSDM-ja.

Kasami la të hapur edhe një skenar të veçantë: nëse BDI-ja, përmes AKI-së, garon pa parti të komuniteteve të tjera dhe arrin të sigurojë një deputet më shumë se VLEN-i, atëherë ky i fundit do ta shqyrtojë mundësinë e bashkëqeverisjes.

“Nëse shkon me koalicion etnik, nëse fiton një deputet më shumë, do ta vlerësojmë kyçjen tonë në Qeveri”, deklaroi Kasami.

Në të njëjtën intervistë, ai shprehu bindjen se VLEN-i do të ketë rezultat dukshëm më të mirë se BDI-ja, nëse kjo e fundit vendos të garojë e vetme në mesin e subjekteve politike shqiptare.

“Ne kemi bindjen e plotë se në zgjedhjet e rregullta do të fitojmë bindshëm para BDI-së, nëse ata do të konkurrojnë si parti që do të përfaqësojë shqiptarët, jo në kombinatorika me parti të tjera si LSDM apo të tjera”, u shpreh ai.

Deklaratat e Kasamit e vendosin në qendër të debatit politik një çështje që pritet të përcaktojë konfigurimin e ardhshëm të bllokut shqiptar: jo vetëm sa vota do të marrin partitë, por edhe me çfarë koalicionesh do të hyjnë në zgjedhje dhe si do të përkthehet rezultati në përfaqësim qeveritar.

The post Kasami: Nëse BDI-ja fiton një deputet më shumë se VLEN-i, do ta shqyrtojmë bashkëqeverisjen appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

DAP publikon listën e borxhlinjëve: 5.200 qytetarë dhe kompani me mbi 14 miliardë denarë detyrime Kasami: Në Spitalin e Kumanovës do të punësohen 15 shqiptarë, 55 gjithsej në institucionet shëndetësore të Kumanovës Radev e ndërkombëtarizon sërish çështjen e bullgarëve në RMV: Problemet po thellohen Kasami: Në zgjedhjet e rregullta e fitojmë bindshëm BDI-në