Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Këshilli i Gostivarit miraton rebalancin e buxhetit për 2026 dhe programin zhvillimor për 2027 me 57 projekte infrastrukturore

13 Nën 2026, 18:30

Këshilli i Komunës së Gostivarit ka zhvilluar sot një seancë në të cilën janë miratuar disa vendime të rëndësishme për funksionimin financiar dhe zhvillimin infrastrukturor të komunës, përfshirë Rebalancin e Dytë të Buxhetit për vitin 2026 dhe Programin Zhvillimor për vitin 2027.

Rebalanci i dytë i buxhetit për vitin 2026 është miratuar me votat unanime të këshilltarëve të pranishëm. Me këtë rishikim, buxheti i përgjithshëm i Komunës zvogëlohet nga 1.985.606.301 në 1.818.411.883 denarë, përkatësisht për 167.194.418 denarë.

Sipas sqarimit të publikuar nga Gostivari Sot, ulja lidhet kryesisht me mosrealizimin ende të transfereve financiare nga pushteti qendror për projektet qeveritare të parapara për Komunën. Rebalanci përfshin rishikimin e të hyrave dhe shpenzimeve, investimeve kapitale, subvencioneve dhe programeve komunale, si dhe harmonizimin e mjeteve për arsimin fillor, të mesëm dhe kopshtet e fëmijëve.

Në të njëjtën seancë, këshilltarët kanë miratuar unanimisht edhe Programin Zhvillimor për vitin 2027, i cili parasheh realizimin e 57 projekteve infrastrukturore dhe investimeve të tjera, me vlerë të përgjithshme prej 1.034.099.240 denarësh, ose mbi 1 miliard denarë.

Një ndër prioritetet kryesore të programit është furnizimi me ujë të pijshëm. Pas epidemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme gjatë verës së këtij viti, Komuna planifikon aktivizimin e stacionit të filtrimit, ndërtimin e rezervuarit të ri në Çegran dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në qytet dhe vendbanimet rurale.

Duke prezantuar programin, Shpend Imeri nga Sektori për Investime theksoi se synimi është zgjidhja afatgjatë e problemit me ujin e pijshëm.

„Uji i pijshëm është prioriteti numër një, duke pasur parasysh atë që na ndodhi këtë vit, epideminë dhe gjendjen e jashtëzakonshme. Synimi ynë është që në vitin 2027 njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim problemin me ujin e pijshëm në të gjithë qytetin, në të gjitha lagjet dhe vendbanimet“, deklaroi Imeri.

Investimet e tjera kryesore përfshijnë ndërtimin e parkingut nëntokësor pranë objektit të Komunës, me vlerë 120 milionë denarë, urën e re mbi lumin Vardar, me rreth 99 milionë denarë, si dhe 95 milionë denarë për asfaltim dhe bekatonizim të rrugëve.

Në program janë përfshirë edhe rikonstruktimi i çerdheve dhe shkollave, ndërtimi i një pishine të re pranë shkollës „Goce Dellçev“, rregullimi i parkut të qytetit, instalimi i 50 hidrantëve mbitokësorë dhe përmirësimi i shërbimeve publike. Për rikonstruktimin dhe përmirësimin e objektit komunal janë paraparë 100 milionë denarë.

Financimi i programit zhvillimor është planifikuar nga disa burime: Komuna e Gostivarit me 804.232.240 denarë, Ministria e Transportit me 159.182.000 denarë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me 60.685.000 denarë dhe Banka Evropiane për Investime me 10 milionë denarë.

Me këto vendime, Këshilli Komunal ka përcaktuar kornizën e rishikuar financiare për përfundimin e vitit 2026 dhe prioritetet investuese për vitin 2027.

Siç raportoi Gostivari Sot, në qendër të planifikimit për vitin e ardhshëm është zgjidhja e problemit me ujin e pijshëm, ndërsa programi përfshin edhe investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, arsim, sport dhe shërbime publike. Gazeta Flaka

The post Këshilli i Gostivarit miraton rebalancin e buxhetit për 2026 dhe programin zhvillimor për 2027 me 57 projekte infrastrukturore appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari: “Nuk mund t’i kesh edhe milionat e Soravisë, edhe shqipen! Ose ti mundesh, por pastaj s’mundesh!” Blerim Abazi publikon shifrat e punësimeve në shëndetësi në Kumanovë: 105 maqedonas dhe 61 shqiptarë Kadriu: Provimi i jurisprudencës për studentët shqiptarë duhet të mbahet në gjuhën shqipe Sulmohet brutalisht një i mitur para shkollës në Rashçe, 5 bashkëmoshatarë e rrahin me grushte, shqelma dhe sende të forta