Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

LSDM kërkon përgjigje nga Prokuroria për kallëzimin penal ndaj Trajko Sllaveskit për “Alta Bankën”

16 Nën 2026, 10:10

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkon nga Prokuroria Publike të informojë opinionin se deri ku ka arritur procedura lidhur me kallëzimin penal të paraqitur për rastin e “Alta Bankës”.

Nga LSDM-ja kërkojnë që kryeprokurori Nenad Saveski të përgjigjet nëse është hapur lëndë për kallëzimin penal kundër Trajko Sllaveskit dhe personave të tjerë përgjegjës në Bankën Popullore, nëse është caktuar prokuror që do të merret me rastin dhe cilat veprime janë ndërmarrë deri më tani.

Sipas LSDM-së, kallëzimi penal është i detajuar dhe përmban aspekte konkrete juridike, si dhe dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim.

Partia opozitare e konsideron Sllaveskin drejtpërdrejt përgjegjës, duke pretenduar se ai ka dhënë lejen për funksionimin e bankës në Maqedoninë e Veriut.

“Trajko Sllaveski është drejtpërdrejt përgjegjës. Ai e dha lejen dhe, siç e pranoi vetë, në koordinim me Mickoskin e sollën në Maqedoni ‘lavatriçen’ e Vuçiqit, bankën kriminale Alta Banka”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga partia pretendojnë se qytetarët aktualisht përballen me vështirësi për të tërhequr paratë e tyre, ndërsa sipas tyre, janë prekur edhe pensionistët që nuk mund të kenë qasje në pensionet e tyre. LSDM-ja paralajmëron gjithashtu për rrezik të mundshëm për sistemin bankar.

LSDM kërkon që Prokuroria të veprojë sa më shpejt, me qëllim të parandalimit të shkatërrimit të provave, fshehjes së transaksioneve dhe llogarive, si dhe ndikimit të mundshëm ndaj dëshmitarëve.

Partia thotë se tashmë ka kërkuar marrjen e masave ligjore për mbrojtjen e provave dhe parandalimin e ndikimit mbi dëshmitarët, përfshirë edhe shqyrtimin e mundësisë për ndalim të përkohshëm të ushtrimit të detyrës nga Trajko Sllaveski.

“Çfarë ka ndërmarrë Prokuroria? Asnjë funksion nuk duhet të jetë mburojë nga përgjegjësia. Prokuroria nuk duhet të jetë vija e fundit e mbrojtjes së pushtetit”, theksojnë nga LSDM-ja.

Në fund, partia i drejtohet drejtpërdrejt kryeprokurorit Nenad Saveski, duke kërkuar përgjigje publike se deri ku ka arritur procedura lidhur me kallëzimin penal për “Alta Bankën”.

The post LSDM kërkon përgjigje nga Prokuroria për kallëzimin penal ndaj Trajko Sllaveskit për “Alta Bankën” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Dy kosovarë me lëndime të rënda në aksident në Unazën e Shkupit: 3 automjete përplasën Ftohtësia ekstreme: -18°C në Maqedonië nga java e ardhshme Dhuna mes bashkëmoshatarëve në shkollë: I mitur rrahur nga dy në Shkup Goditi policin me veturë në Shkup: Marihuanë në makinë dhe hashash në shtëpi