Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Mickoski optimist: Reformat kryesore për BE-në do të përfundojnë deri në dhjetor

14 Nën 2026, 21:10

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pret që hapat kryesorë të Agjendës së Reformave, të cilët aktualisht janë në periudhën shtesë për zbatim, të përfundojnë deri në dhjetor. Sipas tij, Qeveria po punon intensivisht dhe në detaje për reformat, ndërsa nga Brukseli, siç tha ai, kanë vlerësuar se Maqedonia është pararendëse në këtë proces.

Mickoski bëri të ditur se një pjesë e obligimeve teknike po harmonizohen me Komisionin Evropian. Kodi Penal dhe Ligji për Procedurën Penale tashmë janë dërguar në Bruksel për shqyrtim, ndërsa tabelat përkatëse të harmonizimit me legjislacionin evropian pritet të dërgohen më së voni deri të hënën.

Sa u përket përqindjeve buxhetore për financimin e gjyqësorit dhe Prokurorisë Publike, kryeministri tha se është arritur një kompromis, i cili tashmë i është prezantuar Komisionit Evropian.

„Ligjet për Prokurorinë Publike, Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Këshillin Gjyqësor. Këtu kemi një pikë që paraqet pengesë, e që ka të bëjë me buxhetet, përkatësisht përqindjet. Ne kemi 0,8 për qind të BPV-së për buxhetin gjyqësor dhe 0,5 për qind të buxhetit të përgjithshëm për Prokurorinë Publike. Më parë patëm takim me kryetarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, ku diskutuam për mënyrën e rritjes graduale të buxheteve. Arritëm një kompromis“, deklaroi Mickoski.

Ndërkohë, pritet vlerësimi i Komisionit Evropian për ligjet, afati shtesë i zbatimit të të cilave përfundoi në qershor. Në këtë grup përfshihen Kodi Zgjedhor, si dhe ligjet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.

Në këtë kontekst, të hënën në Bruksel do të mbahet Forumi për Zgjerim, me temën „Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë“. Organizatorë të forumit janë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Në të do të marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe liderët e vendeve të rajonit, përfshirë Mickoskin.

Sipas Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), forumi do të shërbejë për diskutimin e paketës së zgjerimit për këtë vit dhe përparimit të vendeve partnere gjatë 12 muajve të fundit. Në fokus do të jetë edhe dokumenti „Përgatitja për një Evropë më të gjerë“, si dhe mënyrat se si BE-ja mund të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj, duke siguruar që një Union më i madh të jetë njëkohësisht më i fortë, më rezistent dhe më efikas.

Megjithatë, ambasadori francez në vend, Christophe Le Rigoler, theksoi se provimi kryesor në rrugën drejt BE-së mbetet sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit.

„Në procesin evropian bëhet fjalë për shumë çështje, por në fund, ajo që do të ketë rëndësinë më të madhe për vendet anëtare dhe opinionin publik në to, është sundimi i ligjit, veçanërisht pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit“, deklaroi Le Rigoler në emisionin „EVROPAT“ në TV24.

Ai theksoi se drejtësia duhet të jetë e pavarur, të ketë burime të mjaftueshme, ndërsa gjyqtarët duhet të jenë të trajnuar mirë dhe të kenë dinjitetin e respektin e nevojshëm.

Nga ana tjetër, ambasadori austriak Martin Pammer vuri në pah gjendjen e vështirë të reformës së administratës publike, duke e cilësuar atë si një nga çështjet më të rëndësishme në procesin evropian.

„Personalisht do të thosha se çështja më e rëndësishme është reforma e administratës publike, sepse për shkak të rrethanave të ndryshme sociale, historike dhe politike, administrata publike në Maqedoninë e Veriut është në gjendje shumë të vështirë, ngjashëm si në vendet e tjera të tranzicionit në rajon“, deklaroi Pammer.

Ndërkohë, Mickoski bëri të ditur se katër ligje kyçe për reformën e administratës publike janë në fazën e fundit të harmonizimit me Komisionin Evropian.

Për Ligjin për Nëpunësit Administrativë po zhvillohen diskutime, ndërsa për ligjet që rregullojnë të punësuarit në sektorin publik dhe pozitat e larta drejtuese, Brukseli ka paraqitur nga një deri në dy vërejtje.

Sipas kryeministrit, harmonizimi duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit, ndërsa ligjet pritet të procedohen në Kuvend në fillim të dhjetorit.

The post Mickoski optimist: Reformat kryesore për BE-në do të përfundojnë deri në dhjetor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Filipçe: Maqedonia në vendin e 41-të në Evropë për BPV-në për banor, FMN-ja rrëzon pretendimet e Mickoskit Editorial Flaka: Dy anët e medaljes së Maqedonisë së Veriut – reformat në letër, realiteti në terren Si u nda nga jeta trajneri i Shkëndijës në moshën 46 vjeçare Pistoleta në shkollë në Tetovë, këshilltarja Belinda Amiti: A janë të sigurta shkollat për fëmijët tanë?