Ndryshimet e reja në Kodin Penal s’do të vlejnë në mënyrë retroaktive, paralajmëron Mickoski
Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se Qeveria ka dërguar në Bruksel propozim-ndryshimet e Kodit Penal dhe të Ligjit për Procedurën Penale, duke theksuar se dispozitat e reja do të zbatohen vetëm për rastet e ardhshme.
Mickoski akuzoi ish-qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së se, përmes ndryshimeve të mëparshme ligjore, të miratuara me procedurë të shkurtuar dhe me flamur evropian, kishte synuar të shmangte përgjegjësinë për korrupsion dhe të mundësonte amnisti politike.
Sipas tij, personat e dyshuar për vepra penale gjatë qeverisjes së kaluar do të vazhdojnë të kenë mundësi të përfitojnë nga dispozitat më të favorshme të miratuara në atë periudhë.
“Ndryshimet që po i sjellim tani do të vlejnë vetëm nga hyrja e tyre në fuqi e tutje dhe nuk do të kenë efekt retroaktiv”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se zgjidhjet e reja ligjore do të vlejnë për Qeverinë aktuale dhe ato të ardhshme, duke akuzuar LSDM-në dhe BDI-në se me ndërhyrjet e mëparshme kishin dobësuar sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.