Në mbështetje të deklaratave të Mickoskit, VLEN kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit
Debati politik për rastin e Alta Bankës është zhvendosur në një përplasje të re mes VLEN-it dhe BDI-së. Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilën opozita e cilësoi si të pavërtetë dhe mashtruese, VLEN sot doli me konferencë për media, ku kërkoi dorëheqjen e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkohë, disa anëtarë të VLEN-it kanë shpërndarë në rrjetet sociale pamflete me fotografinë e Ahmetit dhe mbishkrimin „Dorëheqje“.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në një konferencë për media kërkoi që shumica qeverisëse të tregojë të vërtetën dhe t’i kërkojë falje publike BDI-së për atë që i cilësoi si gënjeshtra dhe shpifje lidhur me Alta Bankën.
Ademi argumentoi se dokumenti i 24 tetorit 2023, të cilit i referohet pushteti, ka të bëjë me një çështje pronësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Alta Bankën në Beograd. Sipas tij, bëhet fjalë për aksione të fituara përmes procesit të sukcesionit të ish-Jugosllavisë dhe për angazhimin e Avokaturës Shtetërore në mbrojtjen e interesave pronësore dhe juridike të shtetit.
Ai theksoi se ky dokument lidhet me një procedurë juridike dhe pronësore dhe nuk përbën vendim për hyrjen e Alta Bankës në Stopanska Bankën e Manastirit, e as dëshmi se institucionet e vitit 2023 kishin vendosur për shitjen e aksioneve të tyre në këtë bankë.
BDI-ja i referohet vendimit të vitit 2025
Në argumentimin e tij, Ademi vuri në dukje edhe dokumentin e datës 23 shtator 2025, sipas të cilit Qeveria aktuale, me propozim të ministres së Financave, u kishte dhënë udhëzim 16 institucioneve publike që të shqyrtonin ofertën e Alta Bankës për blerjen e aksioneve që zotëronin.
Sipas dokumentit, këtyre institucioneve u ishte kërkuar që, nëse nuk ekzistonin pengesa ligjore, të deklaronin pranimin e ofertës deri më 10 tetor 2025.
„Këtu fillon dallimi që debati politik nuk mund ta anashkalojë“, ishte argumenti i Ademit, duke kundërshtuar barazimin e procedurës së vitit 2023 me veprimin institucional të vitit 2025.
VLEN: BDI-ja hapi dyert për bashkëpunim me Alta Bankën
Ndërkohë, Blerim Sejdini nga VLEN, duke u mbështetur në argumente të ngjashme me ato të kryeministrit Mickoski, pretendoi se dokumentet dëshmojnë se ministrat e BDI-së kishin propozuar dhe votuar pika në mbledhjet e Qeverisë, përmes të cilave Alta Bankës nga Beogradi i ishte mundësuar bashkëpunimi afarist me shtetin.
Sipas Sejdinit, në vend që të mbronin interesat e qytetarëve, funksionarët e BDI-së kishin hapur rrugën për marrëveshje financiare dhe partneritet me një bankë nga Serbia.
Kështu, dokumentet e viteve 2023 dhe 2025 janë bërë pjesë e dy interpretimeve të kundërta politike: BDI-ja insiston se dokumenti i vitit 2023 kishte karakter pronësor dhe juridik, ndërsa VLEN-i e paraqet atë si dëshmi të përfshirjes së funksionarëve të atëhershëm në krijimin e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën. Përplasja tashmë është shoqëruar edhe me kërkesa për dorëheqje dhe akuza publike mes dy palëve.
„Alta Banka“ thellon përplasjen politike: BDI dhe LSDM paralajmërojnë padi ndaj Mickoskit për shpifje
Debati politik për rastin „Alta Banka“ po përshkallëzohet, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kanë paralajmëruar veprime ligjore ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesve të pushtetit, për deklaratat që i kanë cilësuar si shpifje dhe manipulime.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se partia e tij do të paraqesë kallëzime penale lidhur me atë që e përshkroi si hyrje të kësaj strukture në sistemin financiar, presionet, llogaritë dhe transferet, si dhe përdorimin e parave të qytetarëve dhe të ndërmarrjeve publike.
„Tani është radha e LSDM-së, e së vërtetës dhe drejtësisë. LSDM-ja po paraqet kallëzime penale për hyrjen e kësaj strukture, për presionet, llogaritë dhe transferet, si dhe për paratë e qytetarëve dhe të ndërmarrjeve publike“, deklaroi Filipçe.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Mickoski, duke e akuzuar se po ndjek modelin politik të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
„Mickoski, po e kopjon Vuçiqin. Vuçiqi ra. Hetimet po hapen. E njëjta gjë të pret edhe ty. E vërteta po del në shesh. Banda do të japë llogari“, deklaroi Filipçe.
Edhe BDI-ja paralajmëron padi gjyqësore
Paralajmërim për veprime ligjore lidhur me deklaratat për rastin „Alta Banka“ ka bërë edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.
Në një konferencë për media, Ademi deklaroi se nëse përfaqësuesit politikë të pushtetit nga VMRO-DPMNE dhe VLEN nuk tërhiqen nga deklaratat e tyre, të cilat ai i cilësoi si gënjeshtra dhe manipulime, do të përballen me padi në gjykatë.
Ademi kërkoi që shumica qeverisëse të paraqesë të vërtetën dhe t’i kërkojë falje publike BDI-së për pretendimet lidhur me Alta Bankën.
Kështu, përplasja politike rreth këtij rasti po kalon nga konferencat për media dhe akuzat reciproke në paralajmërime për procedura gjyqësore dhe penale. Ndërsa pushteti dhe opozita vazhdojnë të interpretojnë në mënyra të kundërta dokumentet që lidhen me Alta Bankën, mbetet të shihet nëse paralajmërimet do të konkretizohen me padi dhe kallëzime zyrtare. Flaka
The post Në mbështetje të deklaratave të Mickoskit, VLEN kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.