Nga e diela, gjobë 2.770 denarë për shoferët – Ja çfarë duhet të keni patjetër në automjet
Nga e diela, 15 nëntor, hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, i cili do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027. Shoferët që nuk i përmbushin kushtet e përcaktuara me ligj rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh, apo rreth 2.770 denarësh.
Detyrimi vlen për të gjitha automjetet motorike që qarkullojnë në rrugët publike, pavarësisht kushteve atmosferike dhe nëse në rrugë ka borë apo akull.
Për automjetet e udhëtarëve me peshë deri në 3.500 kilogramë, pajisjet dimërore nënkuptojnë goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash.
Si alternativë, lejohen edhe gomat verore në të katër rrotat, nëse kanë profil me thellësi prej së paku katër milimetrash. Megjithatë, në këtë rast, shoferët duhet të kenë patjetër zinxhirë bore me madhësi të përshtatshme për rrotat aktive të automjetit.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), në rast se përdoren goma dimërore, thellësia minimale e profilit duhet të jetë gjashtë milimetra. Nëse përdoren goma verore, kërkohet profil prej së paku katër milimetrash dhe zinxhirë bore.
Për automjetet transportuese me masë maksimale të lejuar mbi 3.500 kilogramë, kërkohen goma dimërore në rrotat aktive, me thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash. Lejohet edhe përdorimi i gomave verore me profil prej së paku katër milimetrash, por në këtë rast duhet të posedohen detyrimisht zinxhirë bore ose pajisje të tjera ndihmëse të përcaktuara me rregullore.
Autobusët dhe automjetet transportuese që për arsye teknike nuk mund të vendosin zinxhirë në rrotat aktive, duhet të kenë goma dimërore në këto rrota, si dhe pajisje ndihmëse, përkatësisht lopatë.
Gomat dimërore dallohen përmes shenjave „MS“, „M+S“ ose „M&S“, si dhe simbolit të një fjolle bore brenda një mali me tri maja.
Autoritetet rikujtojnë se shoferët duhet të kujdesen jo vetëm për gjendjen dhe përshtatshmërinë e gomave, por edhe për pajisjet e tjera të detyrueshme dimërore. Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë me gjobë prej 45 eurosh.
Qëllimi i kësaj mase është rritja e sigurisë në komunikacion gjatë muajve të dimrit.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.