Nga viti 2027, udhëtimet drejt Evropës me rregulla të reja – qytetarëve do t’u kërkohet autorizim elektronik!
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet të përballen me një procedurë të re për udhëtimet drejt zonës Shengen. Me zbatimin e sistemit ETIAS, udhëtarët që aktualisht lëvizin pa viza do të duhet të sigurojnë autorizim elektronik përpara nisjes.
Regjistrimi do të bëhet në internet, ndërsa tarifa e parashikuar është 20 euro. Autorizimi do të vlejë deri në tre vjet, ose deri në skadimin e pasaportës.
ETIAS nuk është vizë dhe nuk e heq të drejtën e udhëtimit pa viza për qëndrime deri në 90 ditë brenda 180 ditëve. Ai përbën një kontroll shtesë para udhëtimit.
Sistemi pritet të zbatohet gjatë vitit 2027, por data përfundimtare e hyrjes në fuqi ende nuk është konfirmuar. Deri atëherë, qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.