Versioni i plotë
KOSOVA

PDK-ja i kërkon Presidentes rikthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend për rishqyrtim

22 Tet 2026, 18:30

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një njoftim të publikuar më 22 tetor, PDK-ja ka bërë të ditur se kërkesa vjen pas konsultimeve të gjera, me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike të ligjit.

Sipas PDK-së, rishqyrtimi synon garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.

Partia ka theksuar se ligji është finalizuar në pjesën dërrmuese të tij dhe se kërkesa është që ai të rikthehet në Kuvend, e jo në Qeveri apo të nisë nga e para.

PDK-ja ka ftuar ekspertët, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozime konkrete për përmirësimin e tij, duke shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, PDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Sot pritet të votohet Ligji për Specialen, amendamentimi nis të hënën – kjo është procedura që pritet të ndiqet Arrestohet një zyrtar i Komunës së Prishtinës, dyshohet se mundësoi regjistrimin e tri pronave komunale në emër të një personi PDK-ja kërkon të rrëzohet vetoja e presidentes për Ligjin për Specialen PDK dhe VV dakordohen për Ligjin për Specialen, Deliu-Kodra tregon çfarë u arrit