Versioni i plotë
KOSOVA

PDK tërhiqet nga seancat e Kuvendit: Çështjen do ta dërgojë në Kushtetuese

13 Sht 2026, 11:30

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të legjislativit.

Në një komunikatë, PDK-ja ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe për bllokim të përsëritur të procesit, duke thënë se kushtet e reja politike të vendosura nga LVV-ja e kanë pamundësuar përfundimin e konstituimit.

Sipas PDK-së, Kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, më së largu më 7 gusht, ndërsa edhe afati i dytë, 6 shtatori, nuk është respektuar.

PDK-ja thotë se, pavarësisht kësaj, mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit me qëllim që procesi të përmbyllej. Sipas partisë, ajo votoi kandidatin e LVV-së për nënkryetar, ndërsa LVV-ja nuk e votoi kandidaten e PDK-së.

Partia opozitare ka kundërshtuar edhe kushtëzimin e votimit të nënkryetarëve me votimin për Presidentin e Republikës, duke theksuar se “Kushtetuta nuk është pazar politik”.

PDK-ja ka njoftuar se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Komandanti i KFOR-it shkon për herë të dytë në Beograd brenda një muaji – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe? Presidentja Shiroka Pula: Për Kosovën, Amerika është më shumë se një aleat Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit Ismet Beqiri kritikon zhvillimet në LDK: Nuk mund të flasësh për bashkim duke i larguar ata që e ndërtuan partinë