Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

Pistoleta në shkollë në Tetovë, këshilltarja Belinda Amiti: A janë të sigurta shkollat për fëmijët tanë?

14 Nën 2026, 20:20

Belinda Amiti kërkon përgjegjësi institucionale pas rastit të 15-vjeçarit që u kap me pistoletë në një shkollë të mesme në Tetovë.

Një rast i rëndë i sigurisë në shkollat e Tetovës ka nxitur reagimin e këshilltares komunale, Belinda Amiti, e cila ka ngritur shqetësimin për sigurinë e nxënësve dhe përgjegjësinë e institucioneve.

Reagimi i saj vjen pasi një 15-vjeçar është privuar nga liria, pasi gjatë kontrollit në një shkollë të mesme në Tetovë, policia i ka gjetur një pistoletë të markës “Zoraki 918-G”, të kalibrit 9 mm, si dhe një karikator.

Sipas njoftimit të SPB Tetovë, ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor 2026, në orën 14:40. Kontrolli është kryer në prani të një prindi dhe pedagogut të shkollës. Për rastin është njoftuar prokurori publik.

Duke reaguar ndaj rastit, Amiti e ka cilësuar situatën si kambanë alarmi për çdo familje në Tetovë, duke vënë në pikëpyetje sigurinë në institucionet arsimore.

“Çdo prind që e përcjell fëmijën e tij në shkollë, e bën këtë me bindjen se po e dërgon në një vend të sigurt. Por a mund ta themi ende këtë për shkollat në Tetovë?”, ka shkruar Amiti.

Ajo ka rikujtuar edhe një rast të mëparshëm në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, ku, sipas saj, një objekt ishte përdorur nga persona që konsumojnë narkotikë.

Këshilltarja komunale thekson se fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë institucionale, duke kërkuar llogaridhënie dhe jo heshtje përballë këtyre rasteve.

“Siguria e fëmijëve tanë nuk është privilegj. Për këtë përgjegjësi duhet të jepet llogari, jo të heshtet!”, ka përfunduar Amiti.

Rasti rikthen në vëmendje çështjen e kontrollit dhe masave të sigurisë në shkollat e Tetovës, si dhe nevojën për përgjegjësi të qartë institucionale për mbrojtjen e nxënësve.

The post Pistoleta në shkollë në Tetovë, këshilltarja Belinda Amiti: A janë të sigurta shkollat për fëmijët tanë? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Alta Banka përplas BDI-në dhe VLEN-in: Arbër Ademi kundërpërgjigjet Isenit me dokumente, kërkon përgjegjësi nga Qeveria e Mickoskit “Tenderë të kurdisur dhe shantazh ndaj shtetit”, Mickoski zbulon skemën e dyshuar të përfitimeve milionëshe 12-vjeçarja mbahet e mbyllur në veturë gjatë natës, nëna alarmon policinë Tetova në zi: Aksidenti në Shqipëri merr jetën e një tetovareje, ndërron jetë edhe ish-futbollisti i Shkëndijës, Agron Memedi