SHBA ndaloi fluturimet në gjithë vendin për 5 orë, zbulohet shkaku
Një ndërprerje e pazakontë e trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aeroportet amerikane, duke prekur mijëra fluturime dhe duke krijuar probleme për më shumë se 1.5 milion pasagjerë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendosi të premten të pezullojë përkohësisht ngritjen e shumicës së aeroplanëve në territorin amerikan. Vendimi erdhi pas problemeve të evidentuara në sistemet e komunikimit dhe radarët që përdoren për menaxhimin e trafikut ajror, raporton Associated Press (AP).
Kufizimi zgjati rreth pesë orë dhe u hoq gjatë mbrëmjes, por kthimi në funksionimin e zakonshëm të aeroporteve nuk pritet të ndodhë menjëherë. Autoritetet paralajmëruan se nevojiten edhe disa ditë për të rikthyer plotësisht oraret e fluturimeve.
Sipas shpjegimeve të zyrtarëve amerikanë, ndërprerja lidhet me vështirësitë që kanë hasur pajisjet e vjetra gjatë procesit të instalimit të teknologjisë së re për kontrollin e trafikut ajror.
Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, bëri të ditur se deri më tani nuk ka të dhëna që problemi të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik. Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar saktësisht shkakun e incidentit.
Pasojat në transportin ajror ishin të konsiderueshme. Të dhënat e kompanisë Cirium tregojnë se 827 fluturime u detyruan të ndryshonin itinerarin. Prej tyre, 670 aeroplanë u kthyen në aeroportet nga ku ishin nisur, ndërsa 157 u ulën në aeroporte të tjera.
Në momentin kur hyri në fuqi urdhri për pezullimin e ngritjeve, më shumë se 3,500 aeroplanë ndodheshin në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Ndërkaq, për pas orës 16:00 sipas kohës lokale, ishin paraparë rreth 11,000 nisje fluturimesh, të cilat do të transportonin mbi 1.5 milion pasagjerë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se sistemet u rikthyen në funksion pasi u identifikuan problemet, por paralajmëroi se mund të ketë ende ndërprerje të ngjashme.
Ai kërkoi përshpejtimin e modernizimit të infrastrukturës së kontrollit ajror, duke theksuar se për përfundimin e këtij procesi nevojiten edhe 30 miliardë dollarë investime.
Sipas Associated Press, bëhet fjalë për ndërprerjen më të gjatë të trafikut ajror në nivel kombëtar në SHBA gjatë 25 viteve të fundit.
Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe në janar të vitit 2023, kur një defekt në sistemin kompjuterik të FAA-së shkaktoi pezullimin e fluturimeve në të gjithë vendin.
Edhe pse aeroplanët kanë rifilluar fluturimet, udhëtarët pritet të përballen me vonesa dhe anulime të tjera. Kjo për shkak se shumë aeroplanë dhe ekuipazhe kanë mbetur në aeroporte të ndryshme nga ato ku duhej të ndodheshin sipas planifikimit fillestar.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.