Shoferë, nga nesër obligohen pajisjet dimërore në automjete – Gjoba për mospasje 45 euro!
Nga nesër, e diel, 15 nëntor, të gjitha automjetet që marrin pjesë në komunikacion duhet të jenë të pajisura detyrimisht me pajisje dimërore. Ky detyrim do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027, pavarësisht nëse në rrugë ka borë apo jo.
Shoferët e automjeteve të udhëtarëve mund të përdorin goma dimërore me thellësinë e përcaktuar të profilit ose goma verore që i plotësojnë kushtet ligjore, me kusht që në automjet të kenë zinxhirë për rrotat tërheqëse.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat dhe për automjetet më të rënda vlejnë rregulla të veçanta.
Për shoferët që nuk e respektojnë këtë detyrim, ligji parasheh gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë me denarë.
Çfarë pajisjesh kërkohen për automjetet deri në 3,5 tonë?
Për automjetet motorike, masa maksimale e lejuar e të cilave nuk tejkalon 3.500 kilogramë, parashihen dy mundësi për pajisjen dimërore:
- Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi të profilit prej së paku 4 milimetrash.
- Goma verore në të katër rrotat, gjithashtu me profil prej së paku 4 milimetrash, nëse në automjet ka zinxhirë bore me madhësi përkatëse për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera të përshtatshme.
Kjo do të thotë se gomat dimërore nuk janë alternativa e vetme e lejuar. Shoferët mund të përdorin edhe goma verore që plotësojnë kushtin për thellësinë e profilit, por duhet të kenë me vete edhe zinxhirë ose pajisje të tjera përkatëse.
Rregulla të veçanta për automjetet 4×4
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat, rregullorja parasheh goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 6 milimetrash.
Si alternativë lejohen edhe gomat verore në të katër rrotat, me profil prej së paku 4 milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë bore.
- Te automjetet me tërheqje të përhershme në të katër rrotat, zinxhirët duhet të jenë së paku për boshtin e pasmë.
- Te automjetet me tërheqje të kyçshme, zinxhirët duhet të jenë së paku për boshtin që është vazhdimisht i aktivizuar.
Rregullorja kërkon që automjetet të posedojnë zinxhirë përkatës. Shoferët duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e prodhuesit të automjetit lidhur me vendosjen e tyre.
Çfarë vlen për kamionët dhe autobusët?
Për automjetet motorike me masë maksimale të lejuar mbi 3.500 kilogramë, pajisja dimërore nënkupton:
- Goma dimërore në rrotat tërheqëse, me profil prej së paku 6 milimetrash.
- Goma verore me profil prej së paku 4 milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë përkatës për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera të përshtatshme.
Autobusët dhe automjetet transportuese, të cilëve për arsye teknike nuk mund t’u vendosen zinxhirë në rrotat tërheqëse, duhet të kenë goma dimërore në këto rrota dhe pajisje ndihmëse – lopatë.
Si dallohen gomat dimërore?
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) rikujton se gomat dimërore në pjesën anësore kanë shenjat „MS“, „M+S“ ose „M&S“, si dhe simbolin e flokut të borës në një mal të stilizuar me tri maja.
Me rregullore ndalohet përdorimi i gomave me gozhda në automjetet që marrin pjesë në komunikacionin rrugor.
Nga MPB-ja apelojnë te shoferët që me kohë ta kontrollojnë pajisjen dimërore dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të sigurimit të lëvizjes më të sigurt dhe pa pengesa gjatë kushteve dimërore.
Përveç pajisjeve të detyrueshme, shoferët këshillohen që shpejtësinë ta përshtatin me gjendjen e rrugës dhe të mbajnë distancë të mjaftueshme ndërmjet automjeteve.
The post Shoferë, nga nesër obligohen pajisjet dimërore në automjete – Gjoba për mospasje 45 euro! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.