Siljanovska kundër ndryshimeve të shpeshta kushtetuese: Nuk duam garanci boshe nga BE-ja!
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka shprehur rezerva ndaj ndryshimeve të reja kushtetuese, gjatë debatit në Kuvend me rastin e 35-vjetorit të miratimit të Kushtetutës.
“Kam problem të madh t’u kërkoj deputetëve ta ndryshojnë Kushtetutën. Ata përfaqësojnë qytetarët dhe votojnë sipas bindjeve të tyre”, deklaroi presidentja.
Ajo rikujtoi se Kushtetuta është ndryshuar me 36 amendamente, prej të cilave, sipas saj, 21 janë miratuar me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
Duke folur për procesin eurointegrues dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, Siljanovska theksoi se vendi kërkon garanci që ndryshimet kushtetuese të mos pasohen nga kushte të reja.
“Nuk kërkojmë trajtim të veçantë, por siguri se kjo nuk do të jetë vetëm një nga shumë ndryshimet që do të kërkohen prej nesh”, tha ajo.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.