Teleferiku i Vodnos në servis, investimi kap vlerën e rreth 850 mijë eurove
Ndërmarrja Publike „Shkup“ ka nisur servisimin e teleferikut në Vodno, ku po realizohet rikonstruksion i plotë i kabinave, ndërsa motori është dërguar për riparim.
Sipas kontratës së publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimeve Publike, servisimin po e kryen prodhuesi i teleferikut, kompania austriake „Doppelmayr“, ndërsa vlera e shërbimit arrin rreth 850 mijë euro.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se punimet pritet të përfundojnë në dhjetor. Pas rreth gjashtë muajsh ndërprerjeje, teleferiku pritet të rikthehet në funksion.
Teleferiku i Vodnos nuk është në shërbim që nga maji i këtij viti. Në atë kohë, Gjorgjievski kishte deklaruar se, në 15 vitet nga vënia në funksion, nuk ishte kryer servisimi nga prodhuesi „Doppelmayr“, gjë që, sipas tij, kishte shkaktuar dëmtime serioze dhe rrezik për sigurinë e udhëtarëve.
Teleferiku që lidh Vodnon e Mesme me Kryqin e Mijëvjeçarit është ndërtuar gjatë qeverisjes së mëparshme të VMRO-DPMNE-së dhe është lëshuar në përdorim më 3 qershor 2011. Ndërtimi ishte realizuar nga kompania austriake „Doppelmayr“, me një investim prej 6.7 milionë eurosh.
Sistemi përbëhet nga 28 kabina me kapacitet mbajtës prej 640 kilogramësh, të projektuara për nga tetë udhëtarë, si dhe dy kabina VIP me kapacitet për nga katër persona. Kabinat janë të pajisura edhe me mbajtëse të jashtme për biçikleta. Gazeta Flaka
The post Teleferiku i Vodnos në servis, investimi kap vlerën e rreth 850 mijë eurove appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.