Temu rrezikon gjobë deri në 6% të qarkullimit vjetor, BE-ja zbulon shitjen e produkteve të pasigurta
Platforma kineze e tregtisë online “Temu” mund të përballet me një gjobë të lartë financiare nga Bashkimi Evropian, për shkak të dështimit për të parandaluar shitjen e produkteve ilegale dhe të pasigurta në platformën e saj. Kështu njoftoi sot Komisioni Evropian, duke vlerësuar se kontrollet për sigurinë e produkteve, moderimin e përmbajtjes dhe sistemi i sanksioneve të kompanisë janë joefektive.
“Blerja online nuk duhet të nënkuptojë rrezikun e blerjes së produkteve ilegale dhe të pasigurta”, deklaroi zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen.Sipas Komisionit, megjithëse Temu ka vendosur protokolle sigurie, kërkon raporte testimi vetëm për një pjesë të vogël të produkteve dhe shpesh nuk i verifikon ato. Kontrollet janë veçanërisht të pamjaftueshme për kategoritë me rrezik të lartë, si lodrat dhe produktet kozmetike.
Një tjetër problem është sistemi i sanksioneve, i cili, sipas Komisionit, ndëshkon dyqanet individuale dhe jo tregtarët që qëndrojnë pas tyre. Kjo u mundëson shitësve, dyqanet e të cilëve mbyllen, të vazhdojnë aktivitetin përmes dyqaneve të tjera në të njëjtën platformë.
Temu ka të drejtë të mbrohet dhe të ndërmarrë masa për të korrigjuar mangësitë e konstatuara. Megjithatë, nëse Komisioni Evropian konfirmon shkeljen e Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), kompania mund të gjobitet deri në 6 për qind të qarkullimit të saj vjetor global.
Në maj, Komisioni e kishte gjobitur Temu-n me 200 milionë euro, pasi në platformën e saj ishin zbuluar lodra të pasigurta për foshnja dhe pajisje të vogla elektronike.
Komisioni Evropian nisi një hetim të gjerë ndaj kompanisë në vitin 2024, ndërsa vazhdon të shqyrtojë edhe çështje të tjera, përfshirë elementet e dizajnit që mund të krijojnë varësi te përdoruesit dhe algoritmet që rekomandojnë blerje.
Kompania kineze pritet të përballet me presion të mëtejshëm nga institucionet evropiane për të garantuar sigurinë e produkteve që ofron për konsumatorët.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.