Versioni i plotë
LAJME MAQEDONI

UNT zhvillon seminarin “Zhvillimi i Stafit 2026”, fokus digjitalizimi dhe përafrimi i kurrikulave me tregun e punës

17 Nën 2026, 23:40

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka realizuar seminarin akademik “Zhvillimi i Stafit 2026”, me fokus avancimin e mësimdhënies, digjitalizimin institucional, përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe përafrimin e programeve studimore me nevojat e tregut të punës.

Në aktivitetin e mbajtur më 17 nëntor morën pjesë stafi akademik, dekanët, prodekanët, koordinatorët e programeve dhe drejtuesit e universitetit. Seminarin e hapi rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili theksoi se zhvillimi profesional i stafit akademik duhet të reflektohet drejtpërdrejt në përvojën e studentëve.

Sipas Fetajit, kjo arrihet përmes “udhëzimeve më të qarta, këshillimit në kohën e duhur dhe metodave të vlerësimit që matin arsyetimin dhe zbatimin praktik të njohurive”. Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e transformimit digjital, përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale dhe bashkëpunimit me sektorin e biznesit, duke ftuar fakultetet që nga semestri i ardhshëm të zbatojnë ndryshime konkrete në programet e tyre.

Programi, i moderuar nga Prof. Dr. Genta Spahija Mirzo, u zhvillua në katër sesione tematike. Në sesionin e parë, Festim Kamberi prezantoi platformën e digjitalizimit të universitetit, duke theksuar se ajo synon të lehtësojë qasjen e studentëve në informacion dhe të ulë ngarkesën administrative për stafin akademik.

Në sesionin e dytë, Burbuqe Hamzai trajtoi këshillimin akademik dhe rëndësinë e orientimit të studentëve në zhvillimin e shkathtësive të të nxënit, përcaktimin e objektivave dhe monitorimin e përparimit të tyre. Ndërkaq, në sesionin e tretë, rektori Fetaji diskutoi për ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim, duke propozuar qasje praktike për përdorimin transparent të mjeteve të IA-së, verifikimin e burimeve dhe ruajtjen e mendimit kritik të studentëve.

Sesioni i katërt iu kushtua përafrimit të kurrikulave me tregun e punës. Sami Morina, kryetar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, prezantoi perspektivën e punëdhënësve lidhur me shkathtësitë praktike që kërkohen nga të diplomuarit, duke nënvizuar rëndësinë e rasteve studimore, të menduarit kritik dhe lidhjes së programeve studimore me praktikën profesionale.

Në përmbyllje të seminarit u përcaktuan edhe detyrat konkrete për njësitë akademike. Sipas konkluzioneve, secili fakultet i UNT-së do të duhet që, në bashkëpunim me një fakultet të një universiteti tjetër, të përgatisë një kurrikulë të re për një program studimi me diplomë të dyfishtë, së paku në nivelin Master.

The post UNT zhvillon seminarin “Zhvillimi i Stafit 2026”, fokus digjitalizimi dhe përafrimi i kurrikulave me tregun e punës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Goditi policin me veturë në Shkup: Marihuanë në makinë dhe hashash në shtëpi Maqedonia: 15 raste të shtatzënive nën 15-vjeçare në 2025 – alarmin e shoqërisë Papunësia rritet, por 103.000 punojnë në të zezë në Maqedoninë e Veriut 28 Nëntori në Maqedoni: Liderët shqiptarë urojnë Ditën e Flamurit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar