Zlatan Ibrahimovic më në fund e zbulon se cilin klub e ka në zemër
Zlatan Ibrahimovic ka shprehur edhe një herë lidhjen e veçantë që ka me Milanin, duke e cilësuar klubin kuqezi si skuadrën më të rëndësishme në jetën e tij dhe të vetmen që arriti ta bindte të rikthehej.
Legjenda suedeze ka shkruar parathënien e librit “Il Milan nel mondo”, të gazetarit Mauro Suma, botuar nga shtëpia botuese Giunti. Libri u prezantua këtë javë në Casa Milano, selia e klubit italian.
Në parathënien e tij, Ibrahimovic kujtoi përvojat e shumta gjatë karrierës, fanellat e rëndësishme që ka veshur dhe trofetë e fituar, por theksoi se Milani ka pasur një domethënie krejtësisht tjetër për të.
“Milani është skuadra më e rëndësishme në jetën time. Dhe e vetmja që më bindi të kthehesha. Gjatë karrierës sime, kam veshur fanella legjendare, kam luajtur në qytete të bukura dhe kam fituar kudo. Por Milani ishte diçka ndryshe. Ishte i vetmi klub që mund të më rikthente vërtet, i vetmi që më bëri të ndieja nevojën për të filluar nga e para”, shkroi suedezi.
Ibrahimovic pranoi se nuk është e lehtë ta bindësh atë për një rikthim, por Milani ia doli ta bënte këtë më shumë se një herë. Sipas tij, lidhja e krijuar me ngjyrat kuqezi ka tejkaluar futbollin, trofetë dhe vetë kohën.
“Kjo do të thotë që midis meje dhe këtyre ngjyrave është krijuar një lidhje që shkon përtej futbollit, përtej trofeve, madje edhe përtej kohës. Herën e parë Milani më dha lumturi, herën e dytë dashuri”, deklaroi ai.
Tri periudha të ndryshme te Milani
Ibrahimovic u transferua për herë të parë te Milani në vitin 2010 nga Barcelona. Pas dy sezonesh me kuqezinjtë, ai u largua drejt Paris Saint-Germainit, për t’u rikthyer në San Siro në janar të vitit 2020.
Suedezi qëndroi te Milani deri në përfundimin e karrierës së tij si futbollist, në qershor të vitit 2023. Gjatë dy periudhave si lojtar, ai zhvilloi gjithsej 163 ndeshje, në të cilat shënoi 93 gola dhe regjistroi 35 asistime.
Me fanellën kuqezi, Ibrahimovic fitoi dy tituj të kampionit të Italisë dhe një Superkupë të Italisë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit.
Megjithatë, lidhja e tij me Milanin nuk përfundoi me pensionimin nga futbolli. Në dhjetor të vitit 2023, ai u rikthye sërish në klub, këtë herë në rolin e Këshilltarit të Lartë të RedBird, pronarit të Milanit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.