Versioni i plotë
KOSOVA

Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 154 mijë dollarë

07 Nën 2026, 13:30

Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrolleve të një kamioni transportues në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, por ishte përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut.

Gjatë kontrollit, zyrtari doganor kishte kërkuar që automjeti t’i nënshtrohej skanimit dhe matjes së peshës.

“Gjatë verifikimit në peshore janë evidentuar mospërputhje në peshën e deklaruar, përkatësisht një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara. Për këtë arsye, është kërkuar kontroll më i detajuar i ngarkesës. Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154,000 dollarë amerikanë”.

Dogana ka bërë të ditur se rasti është duke vazhduar me procedurat përkatëse administrative, në përputhje me Kodin Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizën.

Dogana është zotuar se do të vazhdojë kontrollet dhe zbatimin e mekanizmave të menaxhimit të riskut, me qëllim parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Rrugët në Kosovë të kalueshme, por disa akse të mbuluara me borë Kurti feston me Nikprelajn: “Nuk ka fe as s’ka parti që e përçan shqiptarin” Rama: Kosova si Singapori – Ambiciet e tij si kryeministër Dështoi plani me 136 kg drogë: Tre arrestuar në Ferizaj, njëri shkaktoi aksident