Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 154 mijë dollarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrolleve të një kamioni transportues në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Sipas njoftimit të Doganës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratë...

Nëntor 7, 2026 - 13:30
Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 154 mijë dollarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrolleve të një kamioni transportues në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, por ishte përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut.

Gjatë kontrollit, zyrtari doganor kishte kërkuar që automjeti t’i nënshtrohej skanimit dhe matjes së peshës.

“Gjatë verifikimit në peshore janë evidentuar mospërputhje në peshën e deklaruar, përkatësisht një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara. Për këtë arsye, është kërkuar kontroll më i detajuar i ngarkesës. Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154,000 dollarë amerikanë”.

Dogana ka bërë të ditur se rasti është duke vazhduar me procedurat përkatëse administrative, në përputhje me Kodin Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizën.

Dogana është zotuar se do të vazhdojë kontrollet dhe zbatimin e mekanizmave të menaxhimit të riskut, me qëllim parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.