Versioni i plotë
KOSOVA

Komuna e Pejës publikon sqarimin e QPS-së pas raportit të Inspektoratit për rastin e Arlinda Zekajt

14 Nën 2026, 14:10

Komuna e Pejës sot ka publikuar sqarimin e Qendrës për Punë Sociale lidhur me raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026.

Komuna thekson veprimet kryesore që sipas tyre janë ndërmarr nga QPS Pejë.

Lexoni të plotë sqarimin e Komunës:

Sqarim për opinionin publik lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë

Qendra për Punë Sociale në Pejë, pas pranimit dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm të realizuar nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, lidhur me trajtimin e rastit të rëndë, që ka ndodhur në Komunën e Pejës, konsideron të nevojshme të informojë opinionin publik lidhur me angazhimin institucional, veprimet profesionale të ndërmarra dhe rekomandimet e evidentuara në këtë raport.

ANGAZHIMI DHE VEPRIMET PROFESIONALE TË QPS-SË:

Raporti i Inspektimit dokumenton një sërë veprimesh dhe intervenimesh profesionale të ndërmarra nga Qendra për Punë Sociale në Pejë gjatë trajtimit të rastit.

Gjatë kësaj periudhe, punonjësit socialë dhe profesionistët përgjegjës kanë vepruar në kuadër të mandatit dhe kompetencave të tyre ligjore, duke u përballur me rrethana komplekse dhe tejet të ndjeshme familjare e sociale.

Ndër veprimet kryesore të ndërmarra nga QPS Pejë veçojmë:

1.Intervenimin fillestar dhe kujdestarinë 24-orëshe:

QPS Pejë ka reaguar ndaj kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, duke angazhuar punonjësin social në kuadër të kujdestarisë 24-orëshe. Gjatë intervenimit fillestar është realizuar bashkëbisedimi me fëmijën, janë vlerësuar rrethanat familjare dhe është marrë parasysh mosha, pjekuria dhe vullneti i tij.

2.Vlerësimet profesionale dhe vizitat në terren:

Gjatë menaxhimit të rastit janë realizuar vizita në terren në vendbanimet e palëve, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike, bashkëbisedime me prindërit dhe familjarët, si dhe mbledhja e informacioneve relevante për rrethanat familjare dhe mirëqenien e fëmijës.

3.Bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe shëndetësore:

QPS ka kërkuar dhe siguruar raporte nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë. Këto raporte kanë shërbyer, si bazë profesionale për vlerësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijës dhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.

4.Respektimin e interesit dhe vullnetit të fëmijës:

Një aspekt me rëndësi të veçantë në trajtimin e rastit ka qenë respektimi i së drejtës së fëmijës për t’u dëgjuar dhe për të shprehur pikëpamjet e tij. QPS ka marrë parasysh vlerësimet e profesionistëve dhe gjendjen emocionale të fëmijës, duke rekomanduar përgatitje graduale psikologjike për proceset e mëtejshme familjare.

5.Përfaqësimin profesional në procedurat gjyqësore:

QPS Pejë ka marrë pjesë në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ka dorëzuar raporte profesionale dhe ka paraqitur vlerësimet e Organit të Kujdestarisë lidhur me gjendjen dhe nevojat e fëmijës. Në këtë kuadër, është ofruar edhe propozimi profesional për vazhdimin e mbështetjes psikologjike dhe përgatitjen graduale të fëmijës, duke pasur parasysh interesin e tij më të mirë.

6.Reagimin emergjent pas ngjarjes tragjike të datës 25.10.2026:

Veçanërisht i rëndësishëm është reagimi institucional i QPS-së pas ngjarjes tragjike, kur fëmija mbeti pa përkujdesje prindërore. QPS Pejë ka ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijës, duke kërkuar vendosjen e tij në një mjedis të sigurt, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse. Në kuadër të këtyre veprimeve është siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.

7.Vazhdimësinë e mbikëqyrjes dhe mbështetjes profesionale:

Edhe pas vendosjes së fëmijës në një vend të sigurt, QPS ka vazhduar të përcjellë gjendjen shëndetësore, emocionale dhe psikologjike të tij, duke kërkuar raporte të rregullta nga strehimorja dhe duke bashkëpunuar me psikologët dhe profesionistët përgjegjës për planifikimin individual të kujdesit.

Këto veprime dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të profesionistëve të QPS-së në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e fëmijës.

GJETJET E INSPEKTORATIT DHE MASAT PËR PËRMIRËSIM:

Krahas evidentimit të veprimeve profesionale të ndërmarra, Raporti i Inspektimit identifikon edhe çështje, që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ, organizativ dhe procedural të funksionimit të Qendrës për Punë Sociale.

Ndër çështjet e evidentuara përfshihen:

Plotësimi dhe përdorimi i formularëve standardë për menaxhimin dhe dokumentimin e rasteve.

Respektimi i afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në institucionet gjyqësore.Përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të rasteve.

Forcimi i kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në raport me numrin e rasteve dhe territorin, që mbulon QPS Pejë.

Qartësimi i kompetencave dhe përgjegjësive institucionale ndërmjet Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.

Qendra për Punë Sociale në Pejë i trajton me seriozitet të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre, me qëllim të avancimit të procedurave të punës, forcimit të kapaciteteve profesionale dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve sociale.

Këto gjetje dhe rekomandime do të trajtohen me seriozitetin e duhur, ndërsa do të ndërmerren të gjitha masat e propozuara, të cilat shërbejnë si bazë për avancimin e mëtejshëm të punës institucionale, përmirësimin e procedurave dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale.

QËNDRIMI DHE PËRKUSHTIMI INSTITUCIONAL:

Qendra për Punë Sociale në Pejë konsideron se vlerësimi i punës së institucionit dhe trajtimi i rekomandimeve të Inspektoratit duhet të bëhen në mënyrë objektive, profesionale dhe në përputhje me dokumentacionin zyrtar dhe rrethanat konkrete të rastit.

Në këtë drejtim, është e rëndësishme, që raporti të trajtohet në tërësinë e tij, duke marrë parasysh, si veprimet profesionale të dokumentuara, ashtu edhe çështjet, që kërkojnë përmirësim institucional.

Qendra për Punë Sociale në Pejë mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, në mbrojtjen e kategorive të cenueshme të shoqërisë dhe në ofrimin e shërbimeve profesionale, me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe institucioneve kompetente.

Profesionalizmi, përgjegjësia, ligjshmëria dhe interesi më i mirë i fëmijës mbeten parimet themelore të punës sonë institucionale.

QENDRA PËR PUNË SOCIALE – PEJË.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.

Lajme të ngjashme

Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, Ministria për Punë e Familje publikon gjetjet e inspektimit të jashtëzkaonshëm Vdes një grua 43 vjeçare në Pejë, Spitali rajonal jep detaje për rastin Fotografia e Titos-Veton Surroi i përgjigjet Baton Haxhiut Punëtorët e KEK’ut paralajmërojnë protestë të re për javën e ardhshme: Jo të nëpërkëmbur